Fatime dhe Rexh Lushi, nënë e bir, humbën jetën ditën e djeshme në Has (19 shtator), pasi banesa e tyre u përfshi nga flakët. Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike, teksa eksperti i mbrojtjes nga zjarret, Gafurr Rexha jep këshilla si të shmangim tragjedi të tilla.
Për RTSH24 Rexha tha se duhet patur kujdes që nga vendi ku vendosim ngrohëset, për shkak se shtëpitë janë të mobiluara me materiale lehtësisht të ndezshme. Ai këshillon që të vendosen sa më pranë dritareve, teksa thekson se më shumë kujdes duhet patur kryesisht me ngrohëset me gaz.
“Në pikun e darkës, kur të gjitha mjetet ngrohëse ndizen, ardhja e tensionit që vjen në pikën nga 180 dhe pas orës 23:00 shkon në 220, automatikisht lind shkak për një zjarr që nga prizat, instalimet e dobëta apo vendndodhja e një kaloriferi apo ngrohësja që mund të jetë afër një divani dhe shtëpitë tona janë të arreduara me materiale shumë lehtë të ndezshme. Ju bëj thirrje qytetarëve për përdorimin e gazit që të kenë kujdes sepse që nga mënyra e montimit, vendi ku vendoset bombola, duhet afër një dritareje që të ajroset dhe në momentin që ka një rrjedhje nuk duhet të ndezim çelësin elektrik, çakmak apo shkrepëse”, u shpreh Rexha.
/a.r