Disa të përfshirë në atentatin e Selitës? Zamir Kalemi rrëfen me detaje zonat ku ka lëvizur dhe takimet

Pas atentatit të së Premtes prej të cilit mbeti i plagosur, Zamir Kalemi përmes dëshmisë së tij ka dhënë indicie me vlerë për grupin hetimor që po merret me zbardhjen e ngjarjes.

Sipas gazetares së Klan News Glidona Daci, 35-vjeçari u pyet paraprakisht nga Policia e Tiranës lidhur me dinamikën e ngjarjes, por edhe për dyshimet që ai mund të kishte mbi agresorët.

Burime konfirmojnë se Kalemi nuk ka përmendur emra konkretë, por me të dhënat që ai ka mund të shkohet drejt identifikimit të autorëve. I plagosuri ka rrëfyer me detaje zonat ku ka lëvizur ditët e fundit, oraret dhe personat me të cilët është takuar. Nisur nga kjo shërbimet e Departamentit të Krimeve pranë DVP Tiranë, kanë nisur kontrollin në terren dhe sekuestrimin e pamjeve filmike në zonat ku ka lëvizur i riu. Në këtë mënyrë, blutë kërkojnë konstatimin e automjetit të përdorur në ngjarje, ndjekjen e lëvizjeve të tij apo personave të tjerë që mund të kenë qenë në rolin ndihmës, qoftë për sigurimin e informacioneve, por edhe për dhënien e ndihmës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas krimit.

Kujtojmë se atentati ndodhi mbrëmjen e 12 Janarit në zonën e Selitës teksa Kalemi po lëvizte me automjetin e tij tip “Smart”. Nga breshëria e kallashnikovit ai mbeti i plagosur në këmbë, por aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes u gjetën 13 gëzhoja automatiku.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com