Zv/kryeministrja Belinda Balluku ka inspektuar këtë pasdite punimet për ndërtimin e segmentit rrugor Ura e Cerenecit – Peshkopi, të cilat kanë avancuar ndjeshëm.
Në dy kilometrat e parë të kësaj vepre ka nisur hedhja e shtresave të para asfaltike, ndërsa vijon puna në pjesën tjetër. Me ndërhyrjen në këtë aks shkurtohet distanca me afro 2.5 kilometra, krahasuar me rrugën ekzistuese, Maqellarë-Peshkopi dhe po ashtu plotësohet Rruga e Arbrit duke shkurtuar distancën mes Dibrës dhe Tiranës.
“Me përfundimin e kësaj rruge unë besoj që zgjidhet njëherë e mirë një ngërç shumë i madh që kishte të bënte me aksesin, por që pavarësisht se u gëzuan njëherë në fillim se nga 6 orë rruga u bë 2 orë e pak, tashmë do të kemi mundësi që të shkojmë nga Peshkopia në Tiranë për një orë e gjysmë”, tha Balluku.
Ministrja u ndal edhe tek Rruga e Arbrit, për të cilën punimet janë përqendruar në tunelin e Murrizit.
“Ky dhjetor i 2024 do të jetë edhe përfundimi tërësor i rrugës së Arbrit, duke mbyllur tunelin e Murrizit me një shpresë shumë të madhe, duke qenë se tashmë jemi drejt përfundimit atje të armatimit të të gjithë tunelit, janë 400 metrat e fundit dhe me përfundimin e armatimit pjesa tjetër e punimeve elektromekaniket, shtrimi i bazës dhe gjithçka tjetër nuk janë më problem për ne”, nënvizoi Balluku.
/a.r