Kryetari i Grupit Parlamentar të Rithemelimit, Gazmend Bardhi ka folur në lidhje me paktin mes PS dhe Rithemelimit, që ktheu edhe normalizimin e jetës parlamentare.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24 me gazetaren Nisida Tufa, Bardhi tha se dialogu ka qenë i përqendruar vetëm tek normalizimi i jetës parlamentare dhe asgjë tjetër përveç saj.
Ai shtoi se mazhoranca reflektoi pas thirrjeve të vazhdueshme nga ndërkombëtarët dhe gjithçka nisi pas një ftese informale nga kryeparlamentarja, Lindita Nikolla, drejtuar katër kryetarëve të grupeve parlamentare.
“Ka qenë i përqendruar tek normalizimi i jetës parlamentare, asgjë tjetër përvec saj.
Faktori ndërkombëtare ka bërë thirrje të vazhdueshme dhe ka nxitur palët për dialog politik. Pati një reflektim nga mazhoranca dhe nisi me një ftesë informale nga kryeparlamentarja, drejtuar katër krerëve të grupeve parlamentare.
Do të ishte anormale që bisedimet me kundërshtarin për jetën normale parlamentare të bëheshin në kafe. Gjithçka është zhvilluar në institucionet e Parlamentit”, tha ai./m.j