Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar për dhunën e ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Dhoma e Avokatisë shprehet se sulmi kriminal ndaj avokatit është inkurajuar nga deningrimet e vazhdueshme të figurës së avokatit.
Dhuna ndaj avokatit është dhune ndaj drejtësisë, thuhet më tej në deklaratën e Dhomës së Avokatisë, e cila shpreh keqardhjen për mungesën e një qëndrimi apo dënimit të tij, nga trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për atë çka i ndodhi kolegut.
Ajo shprehet se po ndjek me shqetësim ecurinë e gjendjes shëndetësore të avokatit dhe apelon që akte të tilla të mos përsëriten.
Njoftim i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë
Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, me shqetësim të madh është duke ndjekur në vijimësi ecurinë e gjendjes shëndetësore të kolegut dhe njëkohësisht profesorit të Fakultetit të Drejtësisë, Z.Sokol MENGJEZI. Duke marrë shkas nga ky akt tejet i rëndë kriminal, i cili në analizën e gjithë qëndrimeve është inkurajuar nga denigrimet e vazhdueshme bërë figurës së avokatit, duke filluar që nga vlerësimet e politikës, të administratës shtetërore, të trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të disa përfaqësuesve manipulues e keqdashës të medias e të publikut, kanë bërë që të frymëzojnë dhe ushqejnë eksese të tilla kriminale.
Komiteti Drejtues ne mbledhjen e tij të ditës së premte, me 31 Maj 2024, ju bën thirrje dhe kërkon nga të gjithë pa përjashtim, të respektojnë e të vlerësojnë me mirënjohje të veçantë rolin dhe kontributin e avokatit në funksionimin cilësor të drejtësisë.
Dhuna ndaj avokatit është dhune ndaj drejtësisë, ndaj gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit e noterit. Komiteti Drejtues i Dhomës, për këtë ngjarje të rëndë kriminale, shpreh keqardhjen për mungesën e një qëndrimi apo dënimit të tij, nga trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për atë çka i ndodhi kolegut tonë. Duhet të bëjmë me dije që ligjvënësi në një nen të veçantë të Kodit Penal, për shkak të rolit dhe veprimtarisë të rëndësishme publike, vë në mbrojtje të cilësuar subjekte të tilla si deputetin, gjyqtarin, prokurorin, avokatin, ushtarakun dhe një sërë subjektesh që ushtrojnë funksione publike. Dhoma e Avokatisë do të përshkallëzojë qëndrimin e saj me qëllim mostolerimin e dhunës fizike apo psikike ndaj avokatëve.
Me shpresën që vepra të tilla dhune të mos përsëriten urojmë dhe lutemi për shërim sa më të shpejtë dhe të plotë të kolegut Tonë Av. Sokol MENGJEZI.
Komiteti Drejtues gjen rastin të përcjellë një vlerësim të veçantë për ekipin e mjekëve të talentuar dhe të përkushtuar të cilët, që në kontaktin e parë dhe në vazhdim ndjekin dhe kujdesen për kolegun Tonë. Gjithashtu, përshëndesim Drejtorin e Policisë Tiranë për profesionalizmin e treguar në evidentimin, gjetjen dhe kapjen e autorëve të këtij akti barbar, të cilët duhet të përgjigjen para drejtësisë.
/a.r