Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, ka reaguar pas një postimi të dhëndrit të Berishës në rrjetet sociale, Albi Malltezi, duke i bërë thirrje ish-kryeministrit të mbledhë “zagarët”.
Në postimin e tij, të cilit i referohet Açka, Albi Malltezi ka pretenduar se deputetët e Bashës plotësuan numrat për të votuar buxhetin e vitit 2024, madje i quajti ata “palaço” në parlament. Ndërkohë që Rithemelimi sipas Malltezit, i sapo dalë nga burgu për shkak të akuzave të SPAK lidhur me privatizimin e kompleksit “Partizani”, është opozita e vërtetë dhe po proteston.
“Doktor, mblidhi zagarët! Unë votoj siç më urdhëron ndërgjegjja ime dhe siç ma ndien sentimenti politik, të cilin, veç Zotit, nuk ka kush fuqi ta urdhërojë. Ky shqetësim i madh që ju paska zënë, më thotë se kam vepruar drejt. Unë nuk e votoj këtë qeveri, as me heshtje, as me kinse!”, thotë Flutura Açka në reagimin e saj.
Reagimin shkrimtarja Flutura Açka e ka shoqëruar edhe me postimin e Albi Malltezit, i cili akuzon mbështetësit e Bashës si pjesë të qeverisë. /Liberale.al/