DETAJE / Tritoli në Shkodër, paralajmërim për djalin e 62-vjeçares! Autori ende në arrati

Detaje të reja kanë dalë nga vendosja e tritolit një ditë më parë në banesën e 62 vjecares Frida Sala. Burime pranë organit të akuzës Shkodrës bëjnë me dije se një prej pistave ku është përqendruar puna hetimore lidhet me aktivitetin e djalit të 62-vjeçares. Sipas burimeve policia ka dyshime se kjo ngjarje ka të bëjë me përfshirjen e shtetasit Dori Sala në një kompani bastesh online. Lufta mes grupeve kriminale për dominimin e basteve online dyshohet se ka sjellë edhe vendosjen e tritolit në banesën e këtij shtetasi.

Prokuroria dhe policia dyshojnë se Dori Sala është menaxheri i serverave të internetit të kompanisë së basteve. Pavarësisht kësaj piste hetimi personi në fjalë të cilit iu vendos tritol në derën e shtëpisë e ka mohuar një fakt të tillë duke thënë se puna e vetme është ajo në një kompani internet.

Po ashtu shtetasi Dori Sala ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt dhe nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët.

“E vetmja punë që bëj është ajo në një kompani internet dhe nuk kam lidhje me asgjë tjetër. Nuk e di se kush mund të jenë autorët pasi nuk kam asnjë konflikt dhe nuk e di arsyen e kësaj ngjarje”, ka deklaruar ai.

Megjithatë policia dhe prokuroria e kanë si pistën më të mundshme përfshirjen e Dori Salës në kompaninë e basteve sportive dhe mendohet se ky sulm ndaj tij është një paralajmërim për të mos u marrë më me bastet online.

Ngjarja ndodhi rreth orës 3:40 të një dite më parë kur tritoli shpërtheu në derën e shtëpisë të familjes Sala. Kjo sasi tritoli shkaktoi vetëm dëme materiale ndërkohë që në banesë ndodhej e gjithë familja. Efektivët kanë arritur që të sigurojnë pamjet e momentit të autorit të dyshuar i cili vjen me një motor me skafandër në kokë dhe pasi hedh lëndën eksplozive në banesën e familjes Sala largohet me shpejtësi. Nga kamerat policia nuk ka arritur që ta identifikohë autorin deri më tani për shkak të skafandrës që mbante në kokë. Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje të shpërthimit me tritol, ndërsa nuk ka ende asnjë autor të ndaluar.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com