DETAJE / 19 vrasje në tre muaj, motivet e ngjarjeve që tronditën vendin

Janë 19 viktima, 19 të vrarë ata që numërohen në harkun kohor të vetëm tre muajve, ndërkohë që gushti nuk është mbyllur ende. Atentat mafioz ka pasur vetëm një, ndërsa të tjerat janë të gjitha jetë të marra në gjaknxehtësi e sipër apo si pasojë e sherreve të nisura për shkaqe xhelozie, por që më pas thellohen dhe lufta mes dy burrave transferohet në ‘ring’, aty ku ka vetëm një palë të mbijetuar.

Vrasja e Eraldo Nevruzit, recepsionistit iu mor jeta dhe iu fsheh trupi

Eraldo Nevruzi u vra mesnatën e 6 qershorit, pas një debati me pronarin e hotel “Greccia”, Gerald Shehu, ku po punonte si recepsionist prej një jave.  Pas debateve që dyshohet se kanë ardhur si pasojë e një konflikti të çastit apo të prishjes së pazareve të drogës në Angli, ku dyshja ishin njohur, Shehu e ka qëlluar me dy plumba në kokë Nevruzin, në një nga dhomat e hotelit. Më pas, ka kërkuar ndihmë nga dy punonjësite tjerë, Daniel Qose, 33 vjeç, dhe David Larti, 30 vjeç, që trupin t’ja fusnin në garazhin e makinës së tij, të mbështjellë me një qese të zezë plehrash. Sendet personale ia dogjën në furrën e restorantit të hotelit. Rreth orës 04:00 të mëngjesit të 6 qershorit, Shehu ka marrë mjetin e tij Audi A8  dhe pasi ka hedhur trupin në guroren mes Gjipesë dhe Vunoit, është larguar për në Greqi përmes Qafë Botës. Ai u vu në pranga në Korfuz ku po tentonte të hipte në avion për tu larguar drejt Britanisë së Madhe, raporton “Zëri.ai”.

Vritet nga ish-partneri i të dashurës

23-vjeçari Xhimi Baka mbeti i vrarë më 5 korrik në Fier, pasi u qëllua me thikë nga ish-bashkëshorti i të dashurës me të cilën ky i fundit bashkëjetonte, Xhulian Miho. Dyshja fillimisht janë përplasur verbalisht,  më pas Baka është futur në shtëpi dhe ka dalë me një thikë për tu përballur me Mihon. Por, në përleshje e sipër, Miho e mori thikën dhe e qëlloi 23-vjeçarin në zemër, duke e lënë të vdekur.  Miho dhe partnerja e tij ishin në proces divorci. Ata janë prindër të tre fëmijëve, të cilët e reja i kishte marrë dhe ishte larguar për të jetuar me Bakën.

Sherri për muzikën e lartë

Më 11 korrik mbeti i vrarë i riu Adrian Pepkolaj, pas një sherri për muzikën e lartë, në një lokal në fshatin Rrajë të Fierzës. Dy grupe të rinjsh kanë qenë duke konsumuar alkool dhe pas debatit për muzikën e lartë, janë përleshur me shishe të pijeve alkolike dhe thika, duke shkaktuar kështu vrasjen e Pepkolajt. I plagosur mbeti dhe vëllai i viktimës Valentin Pepkolaj, 32-vjeç dhe Shkëlzen Kukaj, 45 vjeç. Por, autori nuk është vënë ende në pranga. Saimir Sadiku është shpallur në kërkim, ndërsa bashkëpunëtorët e tij, Andrin Qehaja, Xhevolin Macaj, Altin Shpendi, Anton Boçi dhe Jetmir Kuraj u vunë në pranga.

Dhunimi për vdekje i Rigels Kasos

Rigels Kaso u dhunua për vdekje nga partneri i një vajze me të cilën po fliste në rrjetet sociale. Më 16 korrik, i riu ishte nisur nga Bilishti për të ardhur në Tiranë për të takuar të renë. Por, mesazhet ishin lexuar nga partneri i saj dhe në takim i doli 34-vjeçari Bajram Gjeleshi. Ai e dhunoi me sende të forta dhe Kaso u shtrua në spital në gjendje kome. Një muaj më vonë ndërroi jetë në spital.

Atentati me tre të vrarë

Tre të vrarë dhe një i plagosur ishte bilanci i një atentati të ndodhur mbrëmjen e 20 korrikut që Tronditi Memaliajn. Një vrasje që nuk ishte parë kurrë më parë në këtë qytezë. Shënjestër e atentatit ka qenë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit, i cili mbeti i vdekur, por nga breshëria e kallshnikovit ndërruan jetë dhe dy persona të tjerë, kamerieri 36-vjeçar, Gledio Muka dhe klienti 47-vjeçar, Marsel Çela, të dy pa asnjë lidhje me hasmërinë që ndiqte familjen Kalemi. I plagosur mbeti edhe Artur Kalemi, xhaxhai i Andrea Kalemit. Pista kryesore është hakmarrja kundrejt Adriatik Kalemit, pas një zinxhiri vrasjesh. Kalemi është një emër mjaft i lakuar në fushën e biznesit dhe krimit, nga vrasja e dyfishtë e vëllezërve Mevlan e Adriatik Çaça në Belgjikë në vitin 2001 deri tek ekzekutimi i biznesmenit Edmond Papa, që u vra për të marrë hakun e ekzekutimit të nipit të Kalemit, Aleksandër Sadikaj.

Tritoli tek motrat Nikolli

Një shpërthim tritoli tronditi shtëpinë e dy motrave Nikolli, Alda dhe Xhovana, mbrëmjen e 14 korrikut.  Nga shpërthimi mbeti i plagosur rëndë fqinji i motrave, Enea Thomarai, i cili ndodhet në gjendje kome, pasi i ra mbi trup dera e shtëpisë së tij. Pas ngjarjes, motrat Nikolli akuzuan të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumani, me të cilin Alda ka zbuluar se ka pasur një romancë. Ajo gjithashtu foli për jetën luksoze të Dumanit në burg dhe tha se vendoste gjoba nga burgu. Motrat, përmes postimeve në rrjetet sociale, kanë vijuar me akuzat kundrejt Dumanit, për të cilin janë shprehur se i ka kërcënuar vazhdimisht përmes mesazheve. Alda tha se u ndje e përdorur prej tij, me qëllim që kunatit të saj Amarildo Xhanej, t’i hiqej statusi i të penduarit të drejtësisë. Xhovana Nikolli është e dashura e Amarildo Nikolli (Xhanej) i cili akuzohet si vrasës me pagesë dhe në lajme është raportuar gjithashtu për një konflikt fizik mes tij dhe Dumanit, gjatë kohës që të dy kanë qenë pas hekurave. Dosja është në duart e SPAK.

Krim në familje

Krimi në familje tronditi fshatin Shalë në Konispol mëngjesin e 6 gushtit. 69-vjeçari, Hysen Islamaj goditi për vdekje me sëpatë bashkëshorten e tij, Shano Islamaj, duke e lënë të vdekur në vend. Ka qenë mbesa 10-vjeçare, që ka telefonuar të atin duke i thënë se gjyshi ka vrarë gjyshen. Dhe më pas, Klementin Islamaj ka ardhur në shtëpi e pasi ka parë të ëmën e pajetë, ka shtyrë të atin dhe e ka hedhur nga shkallët. 69-vjeçari ndërroi jetë në vend. Islamaj u vu në pranga dhe përpara autoriteteve u shpreh se qëllimi i tij nuk ishte ta vriste të atin.

Vrasja tek azili

Një krim i rëndë ndodhi në azilin privat të të moshuarve në Tiranë, “Ruaje moshën”. 78-vjeçari Zyhdi Shehi, një historian i nderuar nga Kavaja, goditi disa herë me bastun shokun e tij të dhomës, Virxhil Vesho. Ngjarje e rëndë u tentua të mbulohej nga punonjëset e azilit, por u zbuluar në momentin që agjencia e funeralit ktheu mbrapsht trupin e Veshos, kur panë që kishte shenja dhune. Të dy të moshuarit ishin të sëmurë. Edhe vetë autori, Zyhdi Shehi ndërroi jetë në spital, një muaj pas krimit.

Vritet shqiptari në Francë

Ylli Bezhani, një shqiptar që ishte vendosur prej vitesh në Francë është vrarë me 5 plumba, më 8 gusht, ndërsa të plagosur kanë mbetur dhe djali i tij 24-vjeçar, nipi 21-vjeçar, si dhe një tjetër shqiptar, të cilët po marrin trajtim në spital. Autorët mësohet se kanë qenë dy dhe po lëviznin me skuter. Një prej tyre hapi zjarr drejt shqiptarëve sapo i pyeti për emrat. Më pas janë larguar pa gjurmë. Mediat flasin për larje hesapesh, por vëllai i Bezhanit, Saimir Bezhani, në një intervistë për Report TV, thotë se Ylli merrej me biznes e nuk ka lidhje me krimin.

Vritet shqiptari në Itali

Dritan Idrizi, 38 vjeç u vra në Itali pas një sulmi me thikë. Idrizi shkoi në Tavullia për të larë hesapet me një familje shqiptare, që i kishte një borxh prej pesë mijë eurosh. Ai u nis bashkë me dy bashkatdhetarë të tjerë, të cilët ishin armatosur me shkopinj. Si fillim të dyja palët u përplasën verbalisht dhe më pas situata duket se doli jashtë kontrollit. Një prej kundërshtarëve që mbante një thikë në dorë e ka qëlluar Idrizin në zemër duke e lënë të vdekur. Autori, Artur Cerria, 37 vjeç, është arrestuar. Bashkë me dy persona të tjerë, Gili Quedari, 28 vjeç, mik i viktimës, si dhe Admir Shoshari, 54 vjeç, daja i viktimës.

Dhunimi i Egli Progës dhe përplasja mes institucioneve

Vrasja e Egli Progës është rasti që nxori zbuluar institucionet dhe bashkëpunimin e tyre për të mbuluar një krim makabër dhe bashkoi një Shqipëri të tërë. Qytetarët u ngritën në protesta dhe me qirinj e fotot e Eglit në duar, kërkonin drejtësi. Egli Proga u dhunua nga Denis Meçe, nipi i Valter Gorës, ish-drejtorit të Postës Shqiptare. Meçe i ka kërkuar disa herë Progës që t’i dridhte një cigare dhe pasi ky i fundit ia ka bërë gati i ka thënë të shkojë ta marrë. Kur Meçe është futur në lokal, dyshja kanë debatuar verbalisht. Më pas, Meçe i ka kërkuar të dalin jashtë. Të dy kanë dalë jashtë për rreth 1 minutë kanë debatuar në trotuar dhe pas debatit, në një moment Denisi Meçe godet me grusht Egli Progën.

Këtij të fundit i ka rënë koka në një makinë të parkuar dhe më pas është rrëzuar në tokë e është përplasur në asfalt. Pas këtij momenti janë afruar njerëzit për t’i dhënë ndihmë, por ai nuk ka reaguar. Disa minuta më vonë ka mbërritur ambulanca, dhe pasi është transportuar në spital, është konfirmuar i vdekur. Mirëpo, këtu nis dhe kalvari i padrejtësisë. Fillimisht ngjarja u raportua si aksidentale dhe 42-vjeçari, babai i dy fëmijëve u raportua si një njeri i dehur që u gjet i pajetë.  Por, motra e tij, Jonida Proga, në një deklaratë për mediat zbuloi se e gjitha ishte një vrasje. Dëshmitarët flisnin dhe për një gjobëvënie nga ana e Meçes. Ky i fundit i kishte kërkuar Progës që t’i dorëzonte çdo ditë xhiron e lokalit të tij, por ai nuk kishte pranuar. Nga ky moment marrëdhëniet mes të rinjve vijonin të ishin të tensionuara.

Një ditë pas vdekjes së Porgës, më 11 gusht, Policia doli në një deklaratë dhe u shpreh se vdekja nuk ishte aksidentale por se bëhej fjalë për ‘vrasje me dashje’. Në pranga u vu Denis Meçe si autor dhe Voltan Shulku, Arian Manellari, e Leonidha Guçe për moskallëzim krimi.  Por, më 13 gusht ndodhi një tjetër çudi. Të arrestuarit dolën në gjyq tënjiheshin me masën e sigurisë dhe Prokuroria zbuti akuzën për Denis Mecen, nga ‘vrasje me dashje’ që kishte referuar policia në ‘vrasje nga pakujdesia’. Tre të arrestuarve të tjerë iu dha masa ‘detyrim me paraqitje’. Një ditë më pas, Policia, Prokuroria e Gjykata kalonin ‘topin e përgjegjësisë’ sa tek njëra tek tjetra, ndërsa ILDnisi verifikimet. Polici Artur Lilo u vu nën hetim për shpërdorim detyrë.

I moshuari u vra në shtëpi

Një 68-vjeçar u gjet i vrarë me armë zjarri, brenda banesës së tij në fshatin Lajthizë të Njësisë Administrative të Oroshit në Mirditë. Frederik Radi, i cili po kalonte muajit e verës i vetëm pranë banesës së vjetër në vendlindje dhe prej dy ditësh kishte humbur kontaktet me familjen. Ka qenë vajza e tij, Leonora Radi, e cila pasi nuk ka arritur të lidhet me të atin, kaudhëtuar drejt fshatit, por aty e ka gjetur të vdekur dhe ka njoftuar autoritetet. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dyshohet se 68-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, nga dritarja e dhomës ku flinte, dhe si pasojë ka humbur jetën.  Në lidhje me ngjarjen policia ka shoqëruar dhe po merr ne pyetje disa persona, banorë të fshatit Lajthizë, por nuk ka asnjë person të ndaluar si autor i dyshuar i kësaj ngjarje.

19 gushti ishte një ditë e nxehtë

Në mesditë, rreth orës 15:00 ish-shefi i ‘Shqiponjave”, Erjon Goxhara qëlloi me armë zjarri dhe la të plagosur inxhinierin e ERE, Lorenc Kosta. Përplasjet mes tyre kishinnisur pasi Kosta kishte një lidhje intime me bashkëshorten e Goxharës, me të cilin ai  ishte drejt ndarjes. Vetë Goxhara e filmoi të gjithë skenën dhe videoja në të cilën dëgjohet të thotë, “mëso të mos futesh më në shtëpitë e të tjerëve, dhe të hash djersën e tyre”, është bërë publike. Pamjet, Goxhra ia dërgoi të shoqes, Griseldës dhe kunatit të tij. Mirëpo, pavarësisht se në media u raportua se ish-shefi i Shqiponjave i kishte thënë të birit se më mire vriste veten se të kalonte jetën në burg, 48 orë pas plagosjes, u vetëdorëzua.

Përpara autoriteteve, si u shpreh se gjithçka e kishte bërë në kushte të rënduara psikologjike, pas e shoqja i kishte pranuar lidhjen intime me Kostën, i cili ishte gjithashtu i martuar dhe kishte dy fëmijë. Në rrëfimin e saj, vetë Griselda tha se e kishte tradhëtuar vetëm një herë të shoqin dhe se e kishte pranuar këtë gjë, me mendimin se ai do ta falte, por në fakt nuk ndodhi kështu. Në momentin që po drekonte me të bijën, Goxhara nxorri armën dhe qëlloi Kostën, duke tronditur kështu zonën e Komunës së Parisit. Inxhinieri i ERE-s mbijetoi falë ndihmës së shpejtë që i dhanë dy turistë. Tashmë Goxhara përballet me drejtësinë, ndërsa të dyja familjet janë të tronditura e vuajnë përbaltjen në rrjetet sociale, pas publikimit të detajeve të marrëdhënies mes gruas së Goxharës dhe Kostës.

Në të njëjtën ditë, arma krisi në Velipojë!

Dy vëllezërit, pronarë të hotelit “Holiday”, Gëzim dhe Edmir Frroku, vranë kunetërit Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi. Sherri kishte nisur prej datës 28 Qershor të këtij viti, me plagosjen e një prej kamerierëve të hotelit dhe palët pretendonin të sqaroheshin, pas lirimit të Ishmit nga burgu. Por, takimi sqarues përfundoi në tragjedi me dy të vdekur. I plagosur mbeti dhe Zyber Zagrad, 26-vjeçari që punonte kamerier në hotelin “Holiday” në plazhin e Velipojës. Zagradi dhe një person tjetër, Marjo Pali janë lënë në masën ‘arrest me burg’, ndërsa dy autorët janë shpallur në kërkim.

Në të njëjtën orë, në Tiranë ndodhi një tjetër tragjedi.

Shtetasi amerikan Mattheë James Ëertz, që punonte si mësues në një privat ‘Albanian College Tirana’ mbyti gruan me litar, vrau qentë me shkop bejsbolli dhe më pas vari veten në banesën me qira ku jetonin. 53-vjeçari kishte lënë një letër ku i drejtohej prindërve dhe iu kërkonte falje se nuk ishte bërë burrë dhe nuk kishte hequr dorë nga veset. Në të njëjtën letër kishte lënë të shkruar emrat e personave të cilëve u kishte para borxh me një shënim ku thuhej se në kartë kishte lënë mjaftueshëm para për të shlyer borxhet.

Por 19 gushti nuk mbyllet me kaq

72-vjeçari Faik Hajdini u gjet i vrarë në një përrua. Tre ditë më pas, autoritetet dolën në përfundimin se autorët e vrasjes ishin katër bashkëfshatarë,  Skëndër Ajdini, 71 vjeç dhe bashkëshortja e tij Darovi Ajdini, 64 vjeçe, nipi i tyre, Blerti Kanushi, 23 vjeç dhe djali i tyre, Bledar Ajdini, 43 vjeç. 23-vjeçari rezulton me precedent të mëparshëm penal, pasi rreth 7 muaj më parë ishte shpallur në kërkim për trafik kokaine. Deri më tani është raportuar se vrasja ka ndodhur për shkak të 4 trungjeve të cilat kishin pasur në tokën e tyre çifti Ajdini, dhe për të cilët ata dyshohen se i kishte marrë viktima, Faiku.

Amarildo Hoxhallari u bë viktima e radhës e sherreve banale që kanë sipikënisje xhelozinë, por që më pas degradojnë në përdorim armësh. Më 24 gusht, Darmend Keli, 25 vjeç, vuri re se Hoxhallari po ndiqtë të dashurën e tij me motor. Keli, siç ka rrëfye dhe vetë përpara autoriteteve, i ka kërkuar llogari Hoxhallarit nga ballkoni, por ky i fundit e ka ofenduar. Më pas, 25-vjeçari ka marrë thikën dhe ka zbritur poshtë dhe ka qëlluar Hoxhallarin. 34-vjeçari vdiq në spital. Amarildo Hoxhallari ishte një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2015 u arrestua së bashku me kushëririn e tij Aurel Hoxhallari si porositësi dhe financues të atentatit ku mbeti i plagosur Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazit.

Emrat e viktimave dhe datat:

6 Qershor: Vritet Eraldo Nevruzi

5 Korrik: Vritet Xhimi Baka

11 Korrik: Vritet Adrian Pepkolaj

16 Korrik: Dhunohet Rigels Kaso

20 Korrik: Vriten ShyriKalemi, Gledio Muka dhe Marsel Çela

6 Gusht: Vriten Hysen dhe Shano Islamaj

8 Gusht: Vroitet Virxhil Vesho

8 Gusht: Vritet YlliBezhani

8 Gusht: Vritet Dritan Idrizi

11 Gusht: Dhunohet për vdekje Egli Proga

17 Gusht: Vritet FrederikRadi

19 Gusht: Vriten Arsdi Hoxha dhe Ersild Ishmi

19 Gusht: Matthew James Wertz vret gruan dhe veten

19 Gusht: Vritet Faik Hajdini

24 Gusht: Vritet Amarildo Hoxhallari

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com