Gazetari Besar Bajraktaraj sjell më shumë detaje sa i takon masave të marra nga Policia e Shtetit për protestën e paralajmëruar nga opozita mbrëmjen e kësaj të enjteje para Kryeministrisë.
Sipas tij, në gatishmëri do të jenë mbi 1.000 forca policie, përfshirë të gjitha Komisariatet e Tiranës, Forcat Shqiponja dhe ato të Forcave të Sigurisë Kombëtare. Këta të fundit do të qëndrojnë pas Piramidës.
Në gatishmëri do të jenë edhe autobotët me ujë, në rast se do të ketë përshkallëzim të dhunës që do të përdoren për të shpërndarë protestuesit.
Ditën e djeshme drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku dhe ai i Tiranës Tonin Vocaj kanë mbledhur të gjithë shefat e Komisariateve të Tiranës për të analizuar planin e mbarëvajtjes së protestës. Efektivët kanë shpërndarë në grupet e tyre të brendshme fotot dhe të dhënat e personave të shoqëruar më herët për hedhje molotovi, në mënyrë që të shoqërohen sërish nëse kapen me sende plasëse me vete.
Leja e kërkuar për zhvillimin e protestës nga ana e opozitës është kërkuar 4 orë, nga ora 20:00 deri në mesnatë.
/a.r