Lihet i lirë Durim Bami. Mbrëmjen e djeshme (13 gusht) Bami u la i lirë nga autoritetet e Dubait, pas përfundimit të afatit 60 ditor të paraburgimit.
Durim Bami është një nga personat më të kërkuar në Shqipëri, dhe pas arrestimit të tij në Dubai, autoritetet shqiptare nisën procedurat për ekstradimin e tij, por gjykata e Dubait ka vendosur ta lejë të lirë.
Bami ishte shpallur në kërkim për dosjen “Revanshi”, ku akuzohet për një serë veprash penale, ndërsa u ndalua në Dubai në muajin qershor.
GJKKO në 15 maj të këtij viti ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Sigurimi kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kultivim i lëndëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Durim Bami u shpall në kërkim në kuadër të dosjes “Revansh” të hetuar nga SPAK. Bami akuzohet për planifikimin e vrasjes së Arben Ndokës, Tori Xhecukës, dhe Erigers Mihasit. Pjesë e kësaj dosjeje është edhe bashkëpunimi i dyshuar mes Durim Bamit me ish-efektivin e RENEA-s Altin Moria për kultivimin e kanabisit në Nikël.
SPAK në kuadër të kësaj dosje kërkoi arrestimin e 50 personave, mes të cilëve edhe të Durim Bamit, ish-deputetit të PS Arben Ndoka, Ervis Martinaj, Endrit Dokle si dhe personazheve të tjerë të botës së krimit.
Nga 50 personat të përfshirë në këtë dosje, 16 prej tyre kishin thurur plane për vrasjen e vëllezërve Durim dhe Valter Bami.
/a.r