Dështim me reformën zgjedhore? Oerd Bylykbashi surprizon: Ka ende kohë për kërkesën kyç të opozitës

Nënkryetari i PD-së Rithemelimit, Oerd Bylykbashi nuk i ka humbur shpresat se tryeza e dialogut do të mund të ofrojë konsensus për reformën zgjedhore. Megjithëse është i bindur se kryeministri Rama nuk e do këtë reformë dhe se ka 11 vjet që refuzon konsensusin për ligjin e zgjedhjeve, zoti Bylykbashi nuk nxitohet për të nxjerrë konkluzione të parakohshme.

“Ajo që është më shqetësuese është se ka njerëz që duan dështimin e reformës zgjedhore. Dhe i pari është Edi Rama, kur tha shumë qartë se mund të qëndrojmë me këtë ligj dhe do të peshkonte vota në seancë plenare. Një qëndrim i tillë është minues për çdo reformë konsensuale. Megjithatë, nuk do ta quaja të dështuar si proces Grupin e Dialogut. Situata është në impas, por nuk është hera e parë që ka patur impase dhe më pas është zhbllokuar situatë. Kemi ende kohë. “- tha për emisionin “Pa Censurë”, Oerd Bylykbashi, duke renditur si kërkesën kyçe të opozitës rikthimin e koalicioneve te përbëra, ku partitë të marrin mandate aq sa kanë mbledhur vota.

Pavarësisht kundërshtimit të PS, PD nuk e konsideron këtë një pikë të vdekur. “Kjo është pikë themelore për PD. Është kjo, pastaj janë gjithë të tjerat. Rama e ndryshoi koalicionin në mënyrë të njëanshme, dhunshëm dhe pa patur asnjë rekomandim nga OSBE/ODIHR. Për ne kjo është çështja e parë, të tjerat vijnë pas. Nuk ka asnjë arsye që opozita të jetë e përfshirë në procese të tjera, sa kohë çështja e saj themelore nuk është zgjidhur. Kjo çështje qëndron në tryezë dhe nuk hiqet. Asnjë ndryshim tjetër nuk ka më shumë rëndësi sesa ky”- u shpreh Oerd Bylykbashi për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com