Deputeti i Partisë Socialiste, Toni Gogu i ftuar në emisionin “Kjo Javë” nga Nisida Tufa në News 24, tha se vota e diasporës është prioritet për Partinë Socialiste.
“Për ne është prioritet. Kemi pasur një ministri diaspore. E dimë fare mirë çfarë do të thotë për një përfaqësues diaspore të votojë. PS është jashtëzakonisht e pranishme në diasporë. Për ne është çështje e qenësishme. Ne dëgjuam shoqërinë civile, po dëgjojmë partitë politike. Do të duhet të gjejmë një formulë. Ne e kemi dhënë mendimin tonë që një përfaqësues i diasporës të votojë përmes postës, ashtu siç e bën një votues amerikan, natyrisht kur ai është i regjistruar në një databazë me adresën e vet ku banon. Është një gjë që bëhet dhe ne duam që të jetë objekt i këtij komisioni. Nga ana jonë ka vullnet maksimal”, u shpreh ai.
Duke u ndalur tek bashkimi i dy grupimeve brenda Partisë Demokratike, Gogu tha se ky bashkim do të zgjasë derisa sa SPAK të trokasë te politikanë të nivelit të lartë. “Situata e opozitës është e trishtueshme dhe nuk janë aty ku përplasen idenë. Brenda një bashkimi që po e quani ju, një batutë e thatë.
Brenda atij bashkimi keni një grup që shan SPAK-un, nga ana tjetër ke një grup që është me mend në kokë se ai është një projekt strategjik për Shqipërinë, që ligji të jetë çatia e çdo shqiptari. Nuk e di çfarë bashkimi është ky.
Një pjesë dalin darkë për darkë dhe nuk kanë lënë gjyqtar dhe prokuror pa iu bërë këta gjyqin, ndërkohë që janë shkelës të ligjit dhe ke një pjesë tjetër që beson se roli i SPAK-ut është ajo që shqiptarët kanë pritur në 100 vjet. Nuk e di se sa do të zgjasë ky bashkim, por besoj derisa të trokasë SPAK-u në dyert e politikës së lartë”, u shpreh ai./m.j