‘Deputetët e PD do kallëzohen në SPAK për dhunën në Kuvend’, reagon ashpër ministri Hoxha: Kemi pamje filmike…

Një ditë pasi deputetët e Sali Berishës dhe Ilir Metës dhunuan gardistët dhe kolegët e tyre socialistë, ka ardhur edhe reagimi nga ministri i Brendshëm.

Përmes Facebook, Ervin Hoxha paralajmëron se aktet e djeshme do të referohen në SPAK dhe se Policia ka administruar provat dhe pamjet filmike.

Hoxha rendit veprat penale të kryera nga PD dhe LSI, si dhe shprehet se dje u përdhosën ndjenjat e qytetarëve.

Reagimi i plotë:

Flakët e zjarrit, pasditen e djeshme, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, që është tempulli më i lartë i një sistemi demokratik, janë akt që përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi.

Kuvendi mbetet thelbi i shprehjes së vullnetit dhe besimit të votuesve, ndaj çdo akt vandalizmi brenda apo në dyert e tij, është absolutisht i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm ligjërisht.

Në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e të drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit.

Zjarrvënia, por dhe aktet e tjera të dhunës gjatë seancës parlamentare, ishin vendngjarje për organet ligjzbatuese.
Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale, duke administruar pamjet filmike dhe çdo element tjetër me interes për hetimin.

Ngjarja do të referohet në përfundim të këtyre veprimeve, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të cilësive të veçanta, që kanë deputetët.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com