Me vetëm votat e mazhorancës, dy ditë më pare u miratua në Kuvend komisioni anti-korrupsion me në fokus sundimin e ligjit, mirëqeverisjen dhe luftën ndaj korrupsionit.
Të dyja grupimet e opozitës, ashtu siç paralajmëruan nuk morën pjesë në votim përveç 6 deputetëve.
Në një intervistë për “Studio Live” në Report Tv deputeti i opozitës Saimir Korreshi u shpreh kundër bojkotit, duke shtuar se beteja politike duhet të bëhet edhe në komisione.
“Që të bëhet një komision bipartizan duhet të jesh transparent me të gjitha palët. Ne na ka ardhur një material ditën e seancës.
Do ketë 11 anëtarë, 6 shumica dhe 5 pakica. Ky komision e ka një mandat 10 muajsh por të ripërsëritshëm.
Pra sa tu mbarojë mandati këtyre që nuk u bindën. Nëse do mendim tim personal, lufta duhet të bëhet qoftë dhe nëpër komisione.
Pavarësisht se kemi votuar kundër. Në momentin që kemi dalë nga parlamenti s’na ka dalë mirë, as në 2017, kur na u dha një grusht i fortë.
Pavarësisht kritikave që kemi e mosdakordësisë, mendoj se një komision i tillë pa duar nuk duhet të lihet, sepse do bëhet mashë e fortë për të goditur sistemin e drejtësisë”, tha Korreshi.
“Nuk është se më rreh shumë se çfarë thonë, te pjesa ime këtë qëndrim do mbaj dhe atje. Unë bëj një logjikë të ftohtë, që bojkoti na ka dalë për keq gjithë kohës.
Koha ka treguar që ne bojkotet na kanë çuar jo zero por -100. Që të shkojmë te zero duam ca vite, që të fillosh të konkurrosh me PS. Lamë një forcë të madhe”, shtoi ai.
/a.r