Denigronin drejtuesit e Policisë, gjykata cakton masat e sigurisë për gazetarin dhe ish-punonjësen e AMP

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për gazetarin Ervis Hasanaga dhe ish-punonjësen e AMP, Regina Omeri.

Këta të fundit akuzohen për falsifikim kompjuterik, pasi në bashkëpunim me punonjësin tjetër të AMP, Kushtrim Selimi, akoma në kërkim, dyshohet se publikonin shkrime me përmbajtje jo të vërtetë për drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.

Arrestimi i tyre u cilësua i ligjshëm nga ana e gjykatës. Mësohet se Hasanaga dhe Omeri kanë shfaqur pendesë për veprimet duke kërkuar falje.

Kujtojmë se ata ranë në pranga më 30 Maj.

Policia njoftoi zyrtarisht se gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti.

Portali “Shqipnews.info” në të cilin publikoheshin këto informacione ishte i paregjistruar në ndonjë organ shtetëror apo në qendrën kombëtare të biznesit dhe nuk figuronte në pronësi të ndonjë individi.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com