Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Dhjetëra mijëra gjeorgjianë organizuan demonstrata pranverën e kaluar kundër ligjit të qeverisë për “agjentët e huaj” – i mbiquajtur nga kritikët “ligji rus”, për shkak të legjislacionit të ngjashëm të përdorur prej kohësh nga Moska për të shtypur kundërshtarët.

Protestat u shndërruan në një betejë për të ardhmen e Gjeorgjisë.

Opozita i vari shpresat në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit. Por partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane fitoi me mbi 53% të votave.

Monitoruesit akuzuan Ëndrrën Gjeorgjiane për manipulim të gjerë të votimeve, gjë që ajo e mohoi. Protestuesit u rikthyen në rrugë.

“Thjesht dua që ne të shikojmë drejt Evropës dhe jo pas tek gropa nga e cila sapo dolëm”, thotë protestuesja Salome Bakhtadze.

Qeveria nisi një goditje brutale ndaj protestave dhe pezulloi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Uashingtoni nga ana e tij pezulloi partneritetin strategjik me Gjeorgjinë.

Kryeministri Irakli Kobakhidze u tregua i vendosur.

“Jemi absolutisht të përkushtuar për ta neutralizuar plotësisht opozitën radikale”, tha ai.

Moldavia – një tjetër ish-republikë sovjetike – mbajti gjithashtu zgjedhje të ashpra presidenciale në tetor.

Pavarësisht provave të shumta të ndërhyrjes nga Moska, Presidentja pro-evropiane Maia Sandu fitoi në raundin e dytë të nëntorit me 55% të votave.

“Sot, të dashur moldavë, ju keni dhënë një leksion mbi demokracinë”, deklaroi ajo.

Në Rumaninë fqinje, kandidati i ekstremit të djathtë Calin Georgescu – i cili kundërshton ndihmën perëndimore për Ukrainën – shënoi një fitore tronditëse në raundin e parë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, pavarësisht nga anketimet parazgjedhore që tregonin se ai gëzonte një mbështetje nën dhjetë përqind.

Por rezultati u anulua nga gjykata e lartë e Rumanisë pasi shërbimet e sigurisë zbuluan një fushatë dezinformimi për ta mbështetur zotin Georgescu në mediat sociale – një përpjekje për të cilën fajësohet gjerësisht Rusia dhe të cilën ajo e mohon.

“Fushata e këtij kandidati u mbështet nga një vend i huaj”, tha Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis.

Analistët thonë se Rusia po ndërhyn në demokracinë evropiane – por tabloja është më komplekse.

“Unë gjithmonë do të theksoja dobësitë lokale, faktin që ndonjëherë ekziston një hendek i tillë ndërmjet elitës dhe popullsisë. Dhe ndonjëherë Rusia thjesht përpiqet ta zgjerojë këtë hendek”, thotë analisti politik Costin Ciobanu.

Zgjedhjet janë zhvilluar në sfondin e konfliktit të armatosur brutal në Ukrainë, pas sulmit të Rusisë në vitin 2022.

Analistët thonë se konflikti – dhe përgjigja e Evropës – vazhdojnë të ndikojnë tek politika dhe votuesit evropianë./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com