Delegacioni amerikan “ngec” në Tajvan, Kina rrethon ishullin me avionë e anije

Nauru i dha fund lidhjeve diplomatike me Tajvanin, duke e lënë Taipein me vetëm 12 aleatë zyrtarë në botë. Kjo është bërë e ditur në një deklaratë të qeverisë së shtetit të vogël ishullor të Paqësorit, i cili shpall njohjen zyrtare të Republikës Popullore të Kinës.

Kjo është përshëndetur nga qeveria e Pekinit. Zhvillimi vjen në një kohë kur në Tajvan po qëndron një delegacion amerikan në një vizitë paszgjedhore.

Presidentja në largim, Tsai Ing-wen, nënvizoi partneritetin “të ngushtë dhe besnik” të ishullit me SHBA-në. Delegacioni mbërriti në ishull me iniciativën e administratës së Presidentit Joe Biden, për të takuar politikanë të nivelit të lartë.

Mirënjohës për mbështetjen e fortë të Amerikës për demokracinë në Tajvan”, u shpreh presidenti i zgjedhur, William Lai, i konsideruar si “problematik” nga Kina, për shkak të qëndrimit të fortë pro pavarësisë.

Delegacioni nga Uashingtoni konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e fortë dhe të palëkundur dypartiake të SHBA-së për Tajvanin. Taipei i kërkoi Kinës të “përballet me realitetin dhe të respektojë rezultatet e zgjedhjeve“, ndërsa Pekini paralajmëroi se çdo lëvizje në favor të pavarësisë do të “dënohet ashpër”.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit, raportoi se kishte zbuluar gjashtë avionë kinezë dhe katër anije ushtarake rreth ishullit në 24 orët e fundit, në një kohë kur delegacioni amerikan ishte ende aty.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com