Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit, ku bën pjesë edhe Kosova, pasi sipas tij, ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.
Rusia mund të krijojë kriza të reja në Ballkan dhe Moldavi në mënyrë që të largojë vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë, ka thënë presidenti ukrainas të enjten gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët nga Afrika, shkruan “Novinite”.
“Sot, të gjithë po diskutojnë krizën në Lindjen e Mesme. Por, siç thashë më parë, sinqerisht, nuk është problem i djeshëm. Të gjithë e dinë për këtë konflikt të vazhdueshëm dhe luftë të vazhdueshme, por askush nuk dëshiron t’i japë fund sepse është i përshtatshëm. Pas shpërthimit në Lindjen e Mesme qëndron Rusia, ne jemi të sigurt, me aleatin e saj Iranin”, ka thënë ai.
“Kini kujdes Ballkanin. Më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, pastaj të paktën do të jetë Ballkani, nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani. Do të ketë një tjetër shpërthim të tillë”, ka thënë Zelensky.