Debat në OKB: Gjenocidi në Srebrenicë të dënohet globalisht

Gjenocidi në Srebrenicë duhet të dënohet në nivel global, duhet të shprehet mbështetje për viktimat, duhet të parandalohet mohimi i gjenocidit dhe duhet të dënohet glorifikimi i kriminelëve të luftës, për t’i parandaluar gjenocidet dhe krimet e luftës në të ardhmen.

Këtë e kanë bërë të ditur Denis Beqiroviç dhe Zhelko Komshiç, anëtarë të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, gjatë një fjalimi para ambasadorëve të Kombeve të Bashkuara më 19 prill në Nju Jork.

Beqiroviç fillimisht kujtoi se gjenocidi në Srebrenicë u përcaktua nga vendimet e gjykatave të OKB-së, si dhe gjykatave në Bosnjë e Hercegovinë, dhe theksoi se rezoluta e propozuar për gjenocidin në Srebrenicë “nuk është kërcënim për asnjë komb”.

“Ka kriminelë individualë. Nuk ka asnjë fjali të vetme për përgjegjësinë kolektive,” tha Beqiroviç, duke shtuar se propaganda e rreme se rezoluta është kundër popullit serb duhet të ndalet.

Beqiroviç, gjatë konferencës për media lidhur me përgatitjet për përkujtimin e 29-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, duke përfshirë draft-rezolutën për “Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”, tha se rezoluta kërkon përcaktimin e Ditës Ndërkombëtare për Kujtimin e Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.

Ndër të tjera, ai tha se shteteve anëtare u kërkohet të përfshijnë gjenocidin në Srebrenicë në programet e tyre arsimore, në mënyrë që ta rrisin ndërgjegjësimin dhe t’i parandalojnë gjenocidet në të ardhmen.

Beqiroviç tha se rezoluta e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë është e nevojshme për ta forcuar kulturën e kujtesës, për ta ruajtur paqen, sundimin e drejtësisë dhe për ta forcuar besimin.

Siç tha ai, rezoluta është e nevojshme edhe për kthimin drejt së ardhmes, për pajtimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për mbrojtjen e gjykatave të OKB-së dhe vlerat civilizuese, si dhe për solidaritet me viktimat dhe familjet e tyre.

“Nëse e shikoni tekstin e rezolutës, nuk do të gjeni asnjë argument që kjo rezolutë është kundër ndonjë kombi apo shteti,” tha Zhelko Komshiç, anëtar i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës nga radhët e popullit kroat.

Komshiç, ndër të tjera, tha se qëllimi i rezolutës është të parandalohet mohimi i fakteve të vërtetuara me aktgjykime të gjykatave ndërkombëtare dhe vendore, përkatësisht se në Srebrenicë është kryer gjenocid.

Ai theksoi se “ata njerëz u vranë në mënyrë sistematike, për shkak të fesë dhe kombit të tyre”.

Azir Osmanoviç, një i mbijetuar nga Srebrenica, i cili humbi pothuajse të gjithë anëtarët e familjes së tij më të afërt në gjenocid, dëshmoi gjithashtu.

“Unë mund të isha lehtësisht në mesin e mijëra të vrarëve. Ne u fshehëm në bazën e OKB-së në Potoçari. Kam dëgjuar britmat, kam parë ekzekutimin e njerëzve nga baza që u vranë”, tha Osmanoviç.

Në fillim të njoftimit në ndërtesën e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara u shfaq një film me faktet për gjenocidin në Srebrenicë, ndër të tjera, se më shumë se 8.700 njerëz u vranë, përfshirë 563 fëmijë, se ishin gjetur 85 varreza masive dhe se më shumë se 800 njerëz janë ende të zhdukur.

Gjithashtu u tha se më shumë se 2.500 persona morën pjesë në gjenocid, se 75 u dënuan me 783 vjet burg në përgjithësi, dhe u dhanë pesë dënime të përjetshme.

Nismëtarët e rezolutës për Srebrenicën janë Gjermania dhe Ruanda. Më pas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe vende të tjera thanë se e mbështesin këtë rezolutë në OKB.

Vendet anëtare të OKB-së mund të shprehin mendimin e tyre për rezolutën përfundimtare, për të cilën ende po punohet, në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në fillim të majit.

As populli serb dhe as përgjegjësia kolektive nuk përmenden në projekt-rezolutën.

Në dokumentin, në të cilin Radio Evropa e Lirë kishte qasje më parë, kërkohet, ndër të tjera, të dënohet pa rezerva çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë, si dhe veprime që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë.

Rezoluta do të shpallte 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi zyrtar dhe autoritetet e Republika Sërpska mohojnë se është kryer gjenocid në Srebrenicë në korrik 1995 dhe e quajnë vrasjen e më shumë se 8,300 civilëve boshnjakë një “krim të tmerrshëm” ose “masakër”.

Më 18 prill, një tubim kundër draft-rezolutës u mbajt në Banja Llukë dhe në të njëjtën ditë, Asambleja e Republikës Sërpska e miratoi një raport që mohon gjenocidin në Srebrenicë./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com