Juristi Kreshnik Spahiu i ftuar në Report Tv komenton shpalljen e Altin Dumanit si kampion në luftën kundër korrupsionit nga DASH. Në emisionin ‘Frontline Interview’ me gazetaren Marsela Karapanço, Spahiu thotë se “dekorata amerikane për Dumanin, ishte përgjigje për ata që shohin ëndrra me Trump-in”.
Sipas tij, gjithçka ishte një mesazh për ata që i kanë shpallur luftë SPAK dhe kreut të saj Altin Dumani. Spahiu thotë se mesazhi i amerikanëve ishte i qartë, që do vazhdojnë t’i japin më shumë ‘oksigjen’ SPAK.
“Me gjithë meritat që ka Altin Dumani, shpallja e tij kampion nuk është bërë se DASH ka festivalin e kampionëve të boksit në antikorrupsion, por është për të dhënë një mesazh politik të atyre që i kanë shpallur luftë Dumanit dhe SPAK. Për t’iu dhënë mesazh se qëndrimi i amerikanëve do vijojë te jetë i njëjtë dhe përkundrazi do t’i japin më shumë oksigjen për të vazhduar politikën e arresteve dhe sekuestrove që ka bërë SPAK dhe Dumani këto kohë. Në tërësinë e vet, faktori ndërkombëtar është determinant në lëvizjet në drejtësi dhe politikë”, tha Spahiu në Report Tv.