DASH konfirmon vizitën e Blinken në Tiranë, zbulohet agjenda e Sekretarit Amerikan të Shtetit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë në Shqipëri dhe Gjermani në periudhën 14-17 shkurt, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit.

Sipas njoftimit, Blinken do të vizitojë Shqipërinë, “një partnere kyçe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”. Kjo vizitë ka për synim që të riafrimojë lidhjet e Uashingtonit me Tiranën.

Në Gjermani, ai do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të Munihut, ku do të diskutojë për Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe sigurinë transatlantike, bëri të ditur DASH.

Vetë sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, që në maj 2021 shpalli Sali Berishën si person “Non Grata” nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë. Kjo u shoqërua me një sulm frontal nga Berisha në adresë të Blinken.

Po ashtu sekretari Blinken ka qenë aktiv përmes mesazheve për de-eskalikin e situatës së tensionuar në veri të Kosovës, shtatorin e vitit të shkuar.

Vizita e parë e një sekretari amerikan shteti në vendin tonë ishte ajo e James Baker, në Tiranë më 22 qershor 1991. Ndërsa e dyta vizitë e një tjetër sekretari amerikan shteti ishte ajo e Madeleine Albright, më 19 shkurt 2000, ku mbajti edhe një fjalë në parlamentin shqiptar. Pasuar nga një tjetër vizitë e John Kerry, më 14 shkurt 2016.

Ardhja e Antony Blinken në vendin tonë do të shënojë vizitën e katërt të një sekretari shteti në Shqipëri.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com