Në foton e mësipërme është Hygerta Meta gjatë momentit që ka bërë qitje në poligon, si pjesë e një eksperimenti hetimor të policisë për të zbardhur vrasjen e Pëllumb Metës.
“Tv Klan” ka siguruar këtë foto teksa bën me dije se 19-vjeçarja kreu disa qitje radhazi, duke vërtetuar kështu se ajo dinte të përdorte armën. Për të kryer qitje në poligon është dërguar edhe pjesa tjetër e familjes së Pëllumb Metës, dy djemtë dhe bashkëshortja e tij, por që nuk kanë pranuar të kapin armën duke thënë se nuk dinë të bëjnë qitje.
Kujtojmë që Hygerta dhe Hysen Meta, dy fëmijët e Pëllumb Metës akuzohen se kanë vrarë babain e tyre. Policia e Shtetit zyrtarisht akuzon djalin e madh të familjes, Hysen Metën se është ai që ka shkrepur armën dhe ka vrarë të atin, ndërsa e pranishme ka qenë dhe motra, Hygerta.
Ndërkohë, studentja Hygerta Meta, pretendon se është ajo që e ka vrarë me katër plumba të atin në sallonin e shtëpisë dhe më pas e ka groposur në kasolle. Pëllumb Meta ka vdekur nga katër plumba që e kanë kapur specifikisht një në kokë dhe tre të tjerë në kraharor dhe bark.
Pëllumb Meta u vra më datë 13 shkurt dhe u zbulua vetëm 10 ditë më pas nga Policia e Durrësit, i groposur në kasollen e lopës pranë shtëpisë. Ka qenë vetë Hygerta Meta që i ka çuar hetuesit në vendin ku groposi të atin dhe i është kërkuar të gërmojë, sepse ka pretenduar se krimin e ka kryer ajo, e vetme.
Dyshohet se Hygerta Meta kërkon të marrë përsipër fajin pasi shpreson se mund të marrë një dënim më të lehtë se vëllai i saj, Hysen Meta.