Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e “Open” në News24 ka zbuluar detaje lidhur me vetëvrasjen e një 27-vjeçareje pas shpërndarjes së një fotoje të saj në rrjetin social “TikTok”.
Lala u shpreh se viktima ishte nënë e një fëmije të mitur dhe ka qenë më herët e martuar me një shtetas nga Kosova, por për shkak të problemeve në lidhje ajo është kthyer te familja në Shqipëri.
Ajo zbuloi se në kushte të vështira ekonomike nëna e viktimës pastronte banesa, mes tyre edhe atë të Altin Çokut, i dyshuar se ka shtyrë 27-vjeçaren drejt vetëvrasjes.
Sipas saj nëna i ka kërkuar 27-vjeçares ta ndihmonte në pastrimin e banesës së Çokut, i cili kur ka bërë foton me viktimën është justifikuar duke thënë se kanë qenë miqtë e tij të cilët kanë publikuar foton në rrjetin social “TikTok”.
Viktima i ka kërkuar 39-vjeçarit që ta fshijë foton, gjë që nuk ka ndodhur dhe e ka shtyrë këtë të fundit që në një moment të rënduar psikologjik të ngjitet në katin e katërt të banesës dhe të hidhet duke ndërruar jetë si pasojë e plagëve.
Lala zbuloi se Altin Çoku, i njohur për një audiencë të caktuar në “TikTok” ka precedentë të mëparshëm penalë pasi ka qenë i dyshuar për vrasje dhe ka tentuar të djegë një fëmijë të vogël për të shantazhuar një ish-partnere të tijën.
Po ashtu ajo shpjegoi se Çoku shprehej gjerësisht në rrjetet sociale se edhe nëse do të arrestohej nuk do të bënte burg për shkak se është i sëmurë.
“27-vjeçarja është nënë e një fëmije, ka qenë e martuar me një shqiptar nga Kosova, por për shkak të problemeve është kthyer në familjen e saj në Shqipëri. Në pamundësi ekonomike, nëna e saj pastronte shtëpinë e autorit të dyshuar për vetëvrasjen e saj. Ai shprehej se edhe nëse arrestohet nuk e mbajnë dot më shumë se 3 ditë për shkak se është i sëmurë.
Nëna e vajzës i ka kërkuar ta ndihmonte në pastrimin e banesës së Altin Çokut. Ajo paguhej vetëm 10 mijë lekë të vjetra për pastrimin, të cilin as nuk ka mundur ta marrë. Në momentin që ka bërë foton ai e ka shpërndarë te miqtë e tij dhe ajo ka përfunduar në TikTok. Gruaja i ka kërkuar ta heqë pasi po i krijonte probleme jo vetëm me familjen e saj, por edhe të bashkëshortit që kishte më herët.
Ai ka thënë se nuk e ka hedhur ai, por miqtë e tij. Në një moment të rënduar psikologjikisht vajza është ngjitur në katin e katërt të një banese ku ata ndodheshin duke thënë se do pinte një cigare. Ajo ka lënë telefonin ku janë gjendur të gjitha komunikimet, ndërsa më pas është hedhur nga lartësia duke ndërruar jetë si pasojë e plagëve.
Altin Çoku ka qenë i dyshuar për vrasje, ka tentuar të djegë një fëmijë të vogël për të shantazhuar një ish-partnere të tijën për të mos u ndarë. Fëmija në këtë rast kishte lidhje familjare me partneren në fjalë”, u shpreh ajo./m.j