“Mos se e ulët shumë korentin, ç’bëni kështu? Talleni me njerëzit. E hanë sapunin për djathë”, ka qenë kjo një ndër pyetjet që Kryeministri Rama ka zgjedhur që të ju përgjigjet në rubrikën “Sy m’Sy” në “Facebook”.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka thënë se çmimi i energjisë elektrike është ulur si askund tjetër rrotull nesh.
Më tej, Kryeministri bën dhe një krahasim me disa nga vendet e rajonit dhe ata në Evropë përsa i përket çmimit të energjisë.
“Unë jam i bindur se Krenari jo vetëm se nuk e di se sa më e shtrenjtë është energjia elektrike atje ku jeton ai, në Greqi, por nga mënyra si flet, duket se bën pjesë tek ata që thonë “Shqipëria është vendi më i shtrenjtë i Europës”. Krenar, shikoji pak çmimet për kw/orë në Greqi dhe në Europë për konsumatorët familjarë. Shqipëria bie në 8.5 Lekë, Greqia është thuajse 3-fish, 22 për kw/orë, Italia 33 për kw/orë, Gjermania 40 për kw/orë dhe më e ulëta nga të tëra është Hungaria që prapë është 20% më lart se ne”, shprehet Rama.
Referuar kufirit për çmimin e energjisë për ata konsumatorë që shpenzojnë më shumë se 700 kw/orë, Rama thotë se kush harxhon më shumë, do të paguajë më shumë.
Në datë 8 Janar, ERE mori vendim që të gjithë konsumatorët familjarë që harxhojnë deri në 700 kilovat/orë energji në muaj, nga 1 Shkurti do të paguajnë 8.5 Lekë për kilovat/orë, që do të thotë 1 Lekë më pak sesa aktualisht. Ndërsa ata abonentë që kalojnë mbi 700 kilovat/orë në muaj, do ta paguajnë 9.5 Lekë kilovat/orin për të gjithë sasinë e energjisë së konsumuar.