CMG-ja: Ndryshimet në transportin e Festës së Pranverës

Transporti në kuadrin e Festës së Pranverës, që në gjuhën kineze quhet “Chun Yun”, konsiderohet nga mediat e huaja si “shpërngulja më masive e popullsisë  në botë”. “Chun Yun” i sivjetshëm do të zgjatë 40 ditë, nga 26 janari deri më 5 mars, dhe gjatë kësaj periudhe parashikohet të ketë 9 miliardë udhëtime në mbarë vendin, shifër kjo dyfish më shumë në krahasim me atë të vitit 2023, duke  shënuar rekord.

Në sektorin hekurudhor u shitën 1 500 bileta në sekondë për kulmin e “Chun Yun”-it. Agjencia “Reuters” shprehu mendimin se “Chun Yun” pasqyron jo vetëm rritjen e shpejtë të vëllimit të udhëtarëve, por edhe besimin dhe gjallërinë e sjellë nga rimëkëmbja ekonomike.

Në një artikull të uebsajtit të gazetës së Bangladeshit “Rrufeja” vihet në dukje se “Chun Yun” do të jetë pararendëse e “valës së nxehtë” të konsumit në Kinë më 2024. Analistët parashikojnë se vëllimi i shitjes me pakicë këtë vit në Kinë do t’i kalojë 50 trilionë juanët (6.94 trilionë dollarët amerikanë), që do të përbëjë forcë kolosale nxitëse për ekonominë kineze.

Krahas thyerjes së rekordit të numrit të udhëtimeve, ndryshime duken edhe në mënyrat e udhëtimit, thuhet në një artikull të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).

foto nga CFP

Automjetet që pritën në portin detar për hyrjen në ishulin Hainan më 5 shkurt 2024 / foto nga CFP

Nga të dhënat del se gjatë periudhës “Chun Yun”, 80 për qind e udhëtarëve zgjedhin të udhëtojnë me makinat e veta, shumë prej të cilave janë makina me energji të reja. Ndërkohë, edhe katër aeroplanët e mëdhenj të prodhuar nga Kina “C919” dhe anija e parë e madhe turistike e Kinës “Adora Magic City” marrin pjesë në transportin në kuadrin e Festës së Pranverës, duke dhënë më shumë alternativa për udhëtimet e kinezëve. Agjencia spanjolle e lajmeve EFE komentoi se, me ngritjen e nivelit të jetesës, kinezët gëzojnë mënyra më të shumta dhe më elastike udhëtimi.

Edhe përdorimi i gjerë i teknologjisë digjitale ka plotësuar kërkesat e shumëllojshme të udhëtarëve. P. sh., aplikacionet në celular mund të ofrojnë informacione për trafikun të përditësuara në çdo kohë, sistemet inteligjente të shitjes dhe kontrollit të biletave u kanë krijuar lehtësi udhëtarëve etj. Eksperti përkatës i tregon CMG-së se, nga njëra anë, këto ndryshime varen nga zhvillimi i shpejtë i teknologjisë, veçanërisht nga përhapja e përdorimit të internetit, të të dhënave të mëdha dhe të inteligjencës artificiale dhe, nga ana tjetër, kërkesat e njerëzve për udhëtim kanë nxitur novacionin e shërbimeve të transportit.

foto nga CFP

Parku “Bota e Akullit dhe e Borës” në Harbin më 5 shkurt 2024 / foto nga CFP

Vlen të përmendet se, me përsosjen e sistemit infrastrukturor, destinacionet e transportit në kuadrin e Festës së Pranverës janë bërë më të shumëllojshme. Vitet e fundit, Kina ka përfunduar ndërtimin e rrjeteve më të mëdha në botë të hekurudhës me shpejtësi të lartë dhe të autostradave. Këto jo vetëm kanë shkurtuar kohëzgjatjen e kthimit në vendlindje, por i kanë çuar kinezët në destinacione më të largët. Uebsajti amerikan “World Travel & Tourism” vuri në dukje se Harbini, qyteti i Kinës Verilindore, është bërë një destinacion “shumë i nxehtë” gjatë “Chun Yun”-it këtë vit. Sipas të dhënave, gjatë Festës së Pranverës vëllimi i rezervimit për turizëm në Harbin u shtua 14 herë, falë burimeve të pasura turistike, mikpritjes së vendësve dhe famës së tij në rrjetet sociale. Pas vizitës më 4 shkurt në Parkun “Bota e Akullit dhe e Borës”, ambasadori i ShBA-së në Kinë Nicholas Burns e vlerësoi si “kombinim mahnitës i artit me novacionin”.

Gjatë transportit të Festës së Pranverës, një tjetër pikë e shkëlqyer është turizmi ndërkufitar. Kohët e fundit, Kina dhe Singapori e Tajlanda nënshkruan politikën e heqjes së vizave dhe kanë zbatuar shumë masa për lehtësimin e procedurave të hyrje-daljes, gjë që ka nxitur turizmin ndërkufitar, komentoi CMG-ja. Agjencia e analizës së prirjes së turizmit “Skift” është e mendimit se kjo është pasqyrë e rimëkëmbjes graduale të turizmit dhe është një lajm i mirë për qarqet botërore turistike.

Transporti i ngarkuar në kuadrin e Festës së Pranverës pasqyron lidhjen gjithnjë e më të ngushtë midis zonave urbane e rurale dhe midis krahinave të ndryshme të Kinës. Nga “Chun Yun” bota shikon një Kinë plot gjallëri. Në një artikull të gazetës pakistaneze “World News” thuhet se “Chun Yun” pasqyron qëndresën dhe vitalitetin e Kinës si ekonomia e dytë më e madhe në botë, përfundon komenti i CMG-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com