“Cipuri”/ Ish-anëtari i bandës së Gaxhait lihet në burg nga gjykata

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg me afat 2 mujor” për ish-anëtarin e bandës së Gaxhait, Armando Sulejmani.

Armando Sulejmani, i cili i ka shpëtuar disa atentateve u vendos në pranga në Durrës më 22 shkurt teksa udhëtonte me një automjet me targa të vjedhura.

48-vjeçari mësohet se po udhëtonte me mjet tip “Mercedes Benz” në Spitallë dhe kur shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, ai nuk i është bindur urdhrit duke tentuar të largohet me shpejtësi.

Por Armando Sulejmani, i njohur si Cipuri, është kapur nga policia dhe u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme.

Targat e mjetit “Mercedes Benz”, që drejtonte 48-vjeçari, i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, të vjedhur në datën 03 nëntor 2023 në Tiranë.

Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, janë gjetur targat origjinale të këtij automjeti.

48-vjeçari, banues në Vlorë i dënuar më parë për vrasje, u arrestua nga uniformat blu, ndërsa u shpall në kërkim 26-vjeçari me iniciale L. Z., banues në Tiranë, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”.

Automjeti tip “Mercedes Benz”, targat e tij dhe targat e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një kaçavidë dhe 3 celularë.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Vijon zbatimi i masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Zëvendësimi”. Sekuestrohet një automjet me targa të vjedhura, që dyshohet se do të përdorej për të kryer ngjarje kriminale.

Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me targa të vjedhura, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje.

Shpallet në kërkim një 26-vjeçar, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor për vjedhjen e targave.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në zbatim të masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që qarkullonte me një automjet me targa të vjedhura, që mund të përdorej për kryerjen e ngjarjeve kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Zëvendësimi”, për kapjen e këtij shtetasi dhe sekuestrimin e automjetit.

Gjatë operacionit, në Spitallë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Mercedes Benz”, me drejtues shtetasin A. S., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u kap shtetasi A. S. dhe u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme.

Nga veprimet hetimore rezultoi se targat e automjetit tip “Mercedes Benz”, që drejtonte ky shtetas, ishin të vjedhura dhe i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, i vjedhur më datë 03.11.2023, në Tiranë. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, janë gjetur targat origjinale të këtij automjeti.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi A. S., 48 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vrasje.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. Z., 26 vjeç, banues në Tiranë, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”.

Automjeti tip “Mercedes Benz”, targat e tij dhe targat e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një kaçavidë dhe 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com