Deputeti demokrat Gazment Bardhi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit tha se Bardhi ka mashtruar dhe nuk ka bërë kallëzim ndaj Olsi Ramës, për përfshirjen në laboratorin e kokainës në Xibrakë.
Sipas Ramës, vëllai i tij as nuk ka mundur të bëjë kallëzim për kallëzim të rremë, pasi Bardhi nuk kishte bërë kallëzimin në SPAK.
Megjithatë, Bardhi thotë se kallëzimi është bërë siç e kërkon ligji, dhe që tashmë ka arritur qëllimin e tij, rihapjen e dosjes për Olsi Ramën.
Bardhi ka shpërndarë edhe një dokument ku thuhet se SPAK ka vendosur rifillimin e hetimeve të pezulluara në vitin 2018 lidhur me këtë çështje.
“Vëllai i Olsit vazhdon me gënjeshtrat ditore, duke u përhumbur në nocione juridike që as i kupton dhe as nuk mund ti kuptojë. Po more budalla po kallëzim kam bërë! Lexo përgjigjen e drejtuesit të prokurorisë së Posaçme z. Altin Dumani!
Unë nuk do bëjë kallëzimin në formën që don ti dhe yt vëlla, me qëllim rivarrosjen e çështjes që ekziston nga Prokuroria e Hanoverit.
Unë kam bërë kallëzim siç e kërkon ligji në këtë fazë ku ndodhet çështja penale, dhe që ka sjellë ekzaktësisht atë që unë kam kërkuar: “Rihapjen e dosjes penale 335/1-2016 që prokurori yt personal e kishte varrosur në 2018”.
Tani çështja mban nr. 88-2024, që do të shenjojë gjatë gjithë jetës dhe duhet ta mbash mend mirë! Deri atëherë, ndrysho strategji, të fala Olsit dhe kujdes narkoautomjetin me targa AA 653 DM!”, shprehet Bardhi ne ragimin e tij ndaj deklaratave te kryeministri.
Me heret, përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama thotë janë vetëm kërcime të çingijes në prehrin e tutorit të ri lart në ballkon.
‘A ju kujtohet kur thoshte “kallzim more kallzim kam bërë” duke tundur ndenjësen mbi karrige?! Kishte zbuluar një narkotrafikant në familjen time, që e kishte kallzuar në SPAK dhe aq shumë e bëri ajrin vrimë me gisht sa e detyroi narkosin e kallzuar, t’i bënte kallzim për kallzim të rremë. Mirëpo ja që s’paska qenë kallzim i rremë sepse s’paska qenë fare hiç kallzim, po një tjetër kërcim i çingijes në prehërin e tutorit të ri lart në ballkon.
Orë të tëra në parlament, intervista të tëra nëpër kanale, tituj e fjali të tëra nëpër portale, pa asnjë turp e asnjë respekt për miletin që e kanë bërë si mish në pazarin e neveritshëm të kujeve e kuisjeve të tyre, dhe si përfundim një tallje e madhe për një kallzim që nuk ekziston! Fatmirësisht SPAK-u megjithatë e ka rihapur dosjen e tundur nga çingija si dajre mbi prehërin e tutorit dhe le të presim deri në fund nëse do të gjejë provat e pretenduara nga çingija do të duhet t’i gjejë vendin gishtit të akuzës që e ka mbajtur aq shumë në ajër, për të argumentuar kallzimin e paqenë!’- shkruan Rama.
Vetë Olsi Rama tha pasi doli nga SPAK se nuk ka asnjë lidhje me çështjen.
‘Nuk e di se çfarë ka vendosur prokuroria për kallëzimin tim. Do e shoh dhe do ju njoftoj nëse është e domosdoshme. E kam bërë kallëzimin se është bërë një manipulim i madh. S’kam asnjë çerek lidhje me bosët e Xibrakës. Dëgjo, ju e dini shumë mirë se i kujt është automjeti. Ia kam marrë një personi në atë kohë për të bërë dy ditë udhëtim në Selanik. I kam mohuar të gjitha, se nuk ka asgjë të vërtetë. Do të vij sa herë të jetë nevoja.”, tha ai./m.j