Ngjarja e rëndë që ndodhi pak ditë më parë në Prishtinë tronditi opinionin publik mbarë-shqiptar. Ende nuk dihet motivi dhe arsyeja e këtij krimi, madje janë shumë ata që nuk arrijnë të kuptojnë sesi burri mund të organizojë ekzekutimin e gruas së tij, para dy fëmijëve, për çfarëdolloj motivi, që nga tradhtia apo arsye të tjera. E thënë ndryshe një njeri normal nuk do të kryente një krim të tillë, me paramendim.
Gazetari Milaim Zeka tha se Naim Murseli është bindur nga policia të tregojë të vërtetën e ngjarjes dhe do të dalin në dritë gjëra shumë të rënda.
Sipas gazetarit një person i cili është i aftë që me gjakftohtësi të organizojë vrasjen e gruas në sy të fëmijëve të tij, është tipi i personazhit që duhet të thyet para policisë. Zeka theksoi se motivi i vrasjes ka për të dalë, ndërsa shtoi se paratë nuk mund të jenë kurrsesi motivi për këtë ngjarje makabër.
“Unë jam shumë, shumë i bindur që policia e Kosovës dhe prokuroria do të arrijnë ta zbulojnë motivin, pasi karakteri i një njeriu të tillë, që organizon vrasjen e gruas në prezencë të fëmijëve, se ndodh që e kanë vrarë gruan aksidentalisht, e personazhe të tillë bëjnë edhe vetëvrasje, por ta organizosh vrasjen të tillë, ti e ke mirëmenduar”.
“Që të organizosh vrasjen e gruas në sy të fëmijëve, ti duhet të jesh një vrasës i tmerrshëm. Ky njeri tashmë është thyer para policisë, pasi e ka pranuar të gjithë organizimin, por do dalin gjëra shumë të rënda nga hetimet. Do dalin gjëra të rënda nga hetimet, do dalin gjëra të rënda brenda familjes. Por një gjë e them me përgjegjësi, paratë nuk janë motivi”, tha Milaim Zeka në një intervistë televizive.
Ky është versioni më i fundit. Deri tani si motiv ka qarkulluar në media fakti se Liridona Ademaj kishte siguruar jetën në Suedi dhe për ngjarje si ajo që ndodhi, nëse vrasësi nuk do të zbulohej, familja e saj do të përfitonte rreth 800 mijë euro dëmshpërblim. Mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Bërrnicë të Prishtinës, ku para dy fëmijëve të saj, u vra 30-vjeçarja me shtetësi suedeze, Liridona Ademaj. Atë natë, rasti u paraqit si grabitje me pasoja vrasjeje. Por, dy ditë më pas, Policia e Kosovës arrestoi tre të dyshuar lidhur me rastin, përfshirë edhe bashkëshortin e Liridonës, Naim Murselin, poashtu me shtetësi suedeze. Murseli dyshohet se e porisiti vrasjen e Liridonës, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës që ta kryente vrasjen. Ndërsa, Kushtrim Kokalla dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë. Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, dyshohet pas arrestimit se inskenoi vrasjen si grabitje.
Ngjarja po hetohet edhe nga drejtësia suedeze pasi Liridona Ademaj ishte nënshtetase e Suedisë.
Prokuroria e Suedisë nuk ka pranuar që të ndajë informacione mbi hetimet lidhur me rastin e vrasjes së 30-vjeçares me shtetësi suedeze, Liridona Ademaj dhe arrestimin e bashkëshortit të saj, Naim Murseli, si i dyshuar për organizimin e vrasjes, “për shkak të rregullave të fshehtësisë”. Liridona u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, në një fshat të Prishtinës. Deri tani për rastin janë arrestuar tre të dyshuar. /Liberale.al/