Presidenti i KE-së dënoi mungesën prej dekadash të financimit dhe investimeve në ushtritë evropiane
“Nëse Evropa dëshiron paqe, ajo duhet të kalojë në një mënyrë “ekonomie lufte” dhe të forcojë ndjeshëm aftësitë e mbrojtjes përballë kërcënimit të paraqitur nga Rusia.” Kështu deklaroi Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel i cili gjithashtu u shpreh se mbështetja e SHBA-së nuk mund të merret më si e mirëqenë dhe vendet e BE-së duhet të marrin përgjegjësinë për sigurinë e tyre.
Në një shkrim të botuar në disa gazeta evropiane, Michel tha se kontinenti europian po përballet me sfidën më të madhe të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Nëse nuk marrim përgjigjen e duhur të BE-së dhe nuk i japim Ukrainës mbështetjen e mjaftueshme për të ndalur Rusinë, ne jemi të radhës. Prandaj, ne duhet të jemi të gatshëm për mbrojtje dhe të kalojmë në një ekonomi lufte. Rusia është një kërcënim serioz ushtarak për kontinentin tonë evropian dhe sigurinë globale.”
Michel dënoi mungesën prej dekadash të financimit dhe investimeve në ushtritë evropiane dhe pavarësisht se kapaciteti i prodhimit ushtarak u rrit me 50% që nga fillimi i agresionit rus në shkallë të plotë.
“Ndërsa ne forcojmë kapacitetin tonë të mbrojtjes, ne duhet të sigurojmë që Ukraina të marrë atë që i nevojitet në fushën e betejës. Ne duhet të përdorim buxhetin evropian për të blerë pajisje ushtarake për Ukrainën dhe le të përdorim fitimet nga asetet e Rusisë për të blerë armë për Ukrainën.”
Ndërkaq ministrat e jashtëm të BE-së ranë dakord të ndajnë 5 miliardë euro shtesë për Ukrainën në vitin 2024 brenda kornizës së Fondit Evropian të Paqes. Ky fond është një mjet kyç për mbështetjen e aftësive mbrojtëse të Ukrainës që nga viti 2022, por kohët e fundit ka rënë ndjeshëm pasi shtetet anëtare nuk ranë dakord për ta rimbushur atë dhe për të zhbllokuar para të tjera për Ukrainën.
Nga ana tjetër Senatori amerikan Lindsey Graham vizitoi Kievin diskutoi ndihmën thelbësore për ushtrinë e Ukrainës, por u shpreh se nevojat e popullit amerikan janë më me përparësi.
/a.r