Kthyesi i sondës “Chang’e-6” u ul në Tokë të martën, duke sjellë mostrat e para në botë të mbledhura nga ana e pasme e Hënës dhe duke shënuar një arritje tjetër të shquar në eksplorimin e hapësirës .
Kthyesi do të dërgohet nëpërmjet ajrit në Pekin për t’u hapur dhe mostrat hënore do t’i jepen një ekipi shkencëtarësh për ruajtje, analizim dhe studim të mëtejshëm, bëri të ditur CNSA-ja.
“Misioni ‘Chang’e-6’ përfaqëson një gur kilometrik të rëndësishëm në historinë e eksplorimit të Hënës nga njerëzimi dhe do të kontribuojë në njohjen më të gjithanshme të evolucionit të Hënës,” tha Yang Wei nga Instituti i Gjeologjisë dhe Gjeofizikës i Akademisë Kineze të Shkencave.
Mostrat hënore të sjella nga misioni i mëparshëm “Chang’e-5” tashmë kanë tërhequr aplikime për të pasur qasje në to nga shkencëtarët ndërkombëtarë, një proces që ka nisur tashmë prej kohësh. Sonda hënore “Chang’e-6” mbajti katër ngarkesa ndërkombëtare të zhvilluara së bashku nga shkencëtarët kinezë dhe ata të huaj. Mund të merret me mend që hapja e veprimtarive kineze të eksplorimit të Hënës do të pasqyrohet edhe në studimin e mostrave hënore të “Chang’e-6”, vuri në dukje më tej Yang Wei.
Presidenti kinez Xi Jinping shprehu të martën urime për suksesin e plotë të misionit “Chang’e-6”, që solli mostrat e para në botë të mbledhura nga ana e pasme e Hënës.
Kapsula e kthimit e sondës “Chang’e-6”, me mostrat e Hënës, zbriti saktësisht në zonën e caktuar në Siziwang të Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës së Veriut, të martën më 2:07 të pasdites sipas orës së Pekinit.