Vetëm një pikë larg kualifikimit në Kampionatin Europian. Kaq do t’i mjaftonte Shqipërisë që të zyrtarizojë pjesëmarrjen në evenimentin e vitit 2024 në Gjermani.
Kuqezinjtë kryesojnë grupin me 13 pikë pas 6 ndeshjeve dhe kanë 4 pikë më tepër se Polonia, ndjekësja më e afërt. Ndërkohë, Çekia rrëshqiti në vendin e tretë me 8 pikë, aq sa ka edhe Moldavia e vendit të katërt.
Skuadrës së Sylvinhos, ashtu si edhe polakëve, i kanë mbetur edhe dy ndeshje kualifikuese, ndërsa çekët do të luajnë tre ndeshje. Data 17 nëntor 2023 mund të jetë festa e kualifikimit të dytë në histori për Kombëtaren.
Ndeshja në fushën e Moldavisë do të jetë vendimtare, sepse më 15 tetor rivalët e Polonisë apo të Republikës Çeke mund të na afrohen në renditje në -1 apo -2 pikë distancë.
Megjithatë, në atë rast, polakëve do t’u mbetet vetëm një ndeshje për të luajtur. Për të mbyllur çdo diskutim, Shqipërisë do t’i mjaftojë të fitojë në Moldavi, për të siguruar biletën drejt Euro 2024. Nëse ajo mundësi nuk shfrytëzohet në maksimum, kuqezinjtë kanë edhe një tjetër shans, në ndeshjen e fundit kundër Ishujve Faroe në Arenën Kombëtare.