Boksieri 27-vjeçar i Vllaznisë Arjon Kajoshi ishte objektiv i një atentati sot në lagjen “Rus” të Shkodrës ku shpëtoi pa plagë duke u larguar me shpejtësi nga makina.
Por pak minuta para atentatit, Kajoshi ka bërë një postim në profilin e tij në Instagram ku ka treguar vendodhjen. Ai ka publikuar një peisazh nga Mali i Taraboshit nga ku duket edhe qyteti i Shkodrës.
Uniformat blu konfirmojnë se atentatori është Alban Bruçi, i cili tanimë është shpallur në kërkim.
Tentativa për vrasje e sotme, dyshohet se ka lidhje me një ngjarje në qershor të këtij viti, kur 5 persona në Shkodër rrahën Vladimir Bruçin, mes të cilëve ishte dhe Arlind Kajoshi, vëllai i Arjonit.
Policia reagoi më pas duke theksuar se autori i atentatit ishte identifikuar dhe ai ishte Alban Bruçi, djali i Vladimir Bruçit, të dhunuar në qershor 2024 për shkak të një sherri për parkimin.
/a.r