Çfarë i shkaktoi zjarret vdekjeprurëse në Los Anxheles?

Zjarret që kanë përfshirë Kaliforninë që nga e marta e kaluar vijojnë të shkaktojnë viktima dhe shkatërrime masive. Autoritetet konfirmuan se numri i të vdekurve ka arritur në 24, ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen në zona të ndryshme të shtetit.

Zjarrfikësit raportuan se tetë nga viktimat humbën jetën në zjarrin që goditi zonën e Palisades, ndërsa 16 të tjera u regjistruan në Eaton, ku flakët shkatërruan një numër të madh banesash.

Hetimet mbi shkaqet e zjarreve janë ende në zhvillim. Sherifi i Los Anxhelos, Robert Luna, deklaroi: “Gjithçka është absolutisht në tryezë.”

Rrufeja, një nga shkaqet më të zakonshme të zjarreve në SHBA, është përjashtuar si një mundësi, ndërsa nuk ka ende prova për zjarrvënie apo defekte në linjat e shërbimeve, të cilat shpesh janë ndër shkaktarët kryesorë të flakëve.

Ekspertët besojnë se kombinimi i rritjes shumë të madhe të bimësisë, e favorizuar nga reshjet e shumta të viteve 2022-23 dhe më pas thatësira e vitit 2024, ka krijuar kushte ideale për përhapjen e zjarreve. Erërat e fuqishme të njohura si erërat e Santa Ana kanë kontribuar gjithashtu në përhapjen e shpejtë të flakëve.

Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike po luajnë një rol të madh në krijimin e kushteve të favorshme për zjarre gjithnjë e më të mëdha dhe të shpeshta.

“Rritja e nxehtësisë, thatësira e zgjatur dhe ndryshimi i klimës, janë faktorët kryesorë që kanë rritur rrezikun dhe shtrirjen e zjarreve në perëndim të SHBA.”- njoftoi Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike në SHBA.

Lëkundjet ekstreme midis periudhave të lagështa dhe të thata, kanë çuar në krijimin e masave të mëdha të bimësisë së tharë, duke e bërë rajonin të prekshëm ndaj flakëve.

Sezoni i zjarreve në jug të Kalifornisë zakonisht shtrihet nga maji deri në tetor, por guvernatori i shtetit ka theksuar më parë se kjo ndarje sezonale nuk ekziston më.

“Nuk ka më sezon zjarresh. Është viti i zjarrit”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com