“Çështjet bilaterale të papranueshme”, Gjermania del kundër Greqisë: “Beleri” nuk mund ta pengojë integrim

Çështja “Beleri” është kthyer në një betejë diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ndërkohë që fituesi i zgjedhjeve për kryebashkiak në Himarë, ndodhet prej disa muajsh në burg për blerje votash, ndërsa seancat gjyqësore shtyhen herë pas here, Athina zyrtare i bën presion Shqipërisë se do të pengojë integrimin në Bashkimin Europian.

A2 CNN iu drejtua me një kërkesë qeverisë gjermane sa i përket qëndrimit të shtetit grek, i cili paralajmëronte bllokimin e procesit integrues të Shqipërisë në rast se Beleri nuk kryente betimin si kryebashkiak i Himarës. Përgjigjja e Ministrisë së Jashtme të Berlinit shpreh qartë se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve nuk mund të bëhen kurrsesi bllokadë në hapjen e kapitujve të negocimit mes Tiranës dhe Brukselit.

“Aspekti përkatës për procesin e anëtarësimit dhe pranimit të Shqipërisë në BE është përmbushja e kritereve të anëtarësimit, duke përfshirë edhe miratimin e “acquis” të BE-së. Është e rëndësishme që ky të mbetet parimi udhëzues që zbatojnë të gjitha shtetet anëtare kur vendosin për hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit. Çështjet bilaterale ndërmjet dy vendeve janë të papranueshme në procesin e integrimit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.

Muaji dhjetor është vendimtar sa i përket procesit integrues të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku vetë Komisioni ka shprehur vullnetin që brenda këtij vitit të hapen grup-kapitujt e parë, por ky vullnet mund të mbetet vetëm dëshirë nëse nuk ka unanimitet mes vendeve anëtare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com