Kryeministri Edi Rama, tha se ka adresuar tek qeveria malazeze problemin e tarfiës që qytetarët shqiptarë paguajnë për kartonin jeshil, që nuk është reciproke me qytetarët malazezë.
“Kjo e tarifës ëshë pak si problem që po zgjatet shumë, është e vërtetë që e kemi diskutuar me Dritan Abazoviç, edhe me kryeministrin e ri.
Në bisedën e parë që kemi bërë me kryeministrin e ri kur e kam uruar për fitoren i kam thënë të lutem duhet të heqësh tarifën që e paguajnë qytetarët tanë kur vijnë andej gjë që nuk e paguajnë qytetarët malazezë kur vijnë këtej.
Ne jemi më të mirë, nuk i marrim asnjë qindarkë fqinjëve”, tha ai duke theksuar se e ka adresuar këtë shqetësim, për të cilin thekson se i është premtuar që do merret parasysh.
“Edhe Mali i Zi ka besoj, në këtë rast, problem burokatrik se s’ka asnjë kuptim tarifa”, shtoi ai.
Sa i përket urës që lidh Ulqinin me Velipojën mbi lumin Buna, projekt i miratuar edhe nga qeveria malazeze, ndonëse nuk përmendi një datë fikse, Rama theksoi se tanimë projekti është gati dhe shumë shpejt do të nisë ndërtimi.
“Ura është idea e Abazoviç që unë e kam përqafuar menjëherë dhe është një projekt i joni. Ne kemi ngritur edhe një grup pune të përbashkët me qeverinë e Malit të Zi dhe thjesht duhet ta fusim në proces dhe të fillojmë ta ndërtojmë”, u përgjigj ai./m.j