Ende pa u rimëkëmbur nga stuhia “Eowyn” që goditi Mbretërinë e Bashkuar në orët e fundit duke i marrë jetën një 20-vjeçari, autoritetet britanike kanë paralajmëruar për një stuhi tjetër që pritet të përfshijë vendin.
Parashikohet të godasë fillimisht jugperëndimin e Anglisë dhe Uellsit dhe më pas të zhvendoset në Irlandën e Veriut dhe Anglinë veriore.
Sipas paralajmërimeve të meteorologëve, stuhia spanjolle “Hermina” do të sjelllë reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe dëborë. Megjithatë, ata theksojnë se stuhia e re nuk do të ketë intensitetin e stuhisë “Eowyn”.
Më shumë se 1 milionë njerëz në të gjithë Britaninë e Madhe mbetën pa energji gjatë stuhisë, ndërsa shërbimet e transportit u ndërprenë, kryesisht në Irlandë dhe Skoci.
Ndërkohë, ka nisur edhe restaurimi i dëmeve të shkaktuara nga stuhia “Eowyn”. Inxhinierë shtesë janë thirrur për të ndihmuar në rikthimin e energjisë elektrike për mijëra biznese e familje në Irlandën e Veriut.