“Bota në një pikë pa kthim”. Putin: Duam krijimin e një rendi të ri global

Vladimir Putin kërkon ndryshimin e rendit aktual global. Gjatë fjalimit përballë diplomatëve në Ministrinë e Jashtme ruse, shefi i Kremlinit paralajmëroi botën për idetë e tij dhe planin për të ardhmen. Nëse doni paqe në Ukrainë tha Putin, Kievi nuk duhet të ketë ambicie për anëtarësim në NATO dhe të njihen katër territoret e lindjes së Ukrainës si pjesë e pandarë e Federatës Ruse.

Rendi global duhet të ndryshojë si e vetmja mënyrë për të punuar më shumë me Rusinë. Ky është një nga pasazhet e fjalimit të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin për situatën aktuale në lindje të Europës. Fjalimi dhe ideja e Putin për ndryshimin e sigurisë globale nxjerr në pah qëllimin fillestar të shefit të Kremlinit, ndryshimin e rendit global. Putin, në fjalimin në Ministrinë e Jashtme, tha se bota kishte arritur në një pikë pa kthim për shkak të asaj që ai tha se ishte kolapsi i “modelit perëndimor” të sigurisë globale dhe se ishte koha për të krijuar një sistem të ri dhe më të qëndrueshëm.

“Ne jemi dëshmitarë të kolapsit të sistemit të sigurisë euro-atlantike. Sot ai thjesht nuk ekziston, në thelb duhet të krijohet përsëri. E gjithë kjo kërkon që ne të punojmë së bashku me partnerët tanë, me të gjitha vendet e interesuara, dhe ka shumë prej tyre, për të zhvilluar opsionet tona për të garantuar sigurinë në Euroazi”, tha Putin.

Putin për herë të parë flet pa dorashka dhe kërkon që në rendin e ri që mund të krijohet nga Rusia të marrin pjesë edhe shtete anëtare të NATO-s. “Arkitektura e ardhshme e sigurisë është e hapur për të gjitha vendet euroaziatike që dëshirojnë të marrin pjesë në krijimin e saj, që do të thotë për vendet evropiane, dhe për vendet anëtare të NATO-s. Ne jetojmë në të njëjtin kontinent. Çfarëdo që të ndodhë, nuk mund të ndryshohet gjeografia, në një mënyrë apo tjetër, ne do të duhet të bashkëjetojmë dhe të punojmë së bashku”, tha Putin.

Në lidhje me Ukrainën dhe mundësinë e një paqeje të afërt, Putin ka kushtet e tij. Rusia do të ndalojë luftën dhe do të hyjë në bisedimet e paqes nëse Ukraina tërhiqte ambiciet e saj për NATO-n dhe tërheq forcat e saj nga katër rajone ukrainase të pretenduara nga Moska. Sakaq, Putin shtoi se planet e vendeve perëndimore për t’i dhënë Ukrainës hua duke përdorur interesat nga asetet ruse të ngrira jashtë vendit janë vjedhje dhe nuk do të mbeten pa u ndëshkuar. Fjalimi i Putin vjen në prag të samitit në Zvicër ku më shumë se 90 vende dhe organizata do të diskutojnë një rrugë të mundshme drejt paqes në Ukrainë. Rusia nuk është ftuar dhe deklaron se mbledhja është thjesht humbje kohe.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com