Kryeministri i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Nermin Nikshiç, në një deklaratë për mediat, ka mohuar që armët e përdorura nga terroristët serbë në Banjskë, më 24 shtator, janë blerë në Tuzlla.
Nikshiç i ka quajtur gjetjet e presidentit serb dhe shumë figurave të tjera si të pavërteta dhe tentativa për të gjetur alibi në vende të tjera, për shkak të presioneve të faktorit ndërkombëtar.
“Unë e kuptoj që Serbia në ditët e fundit ka qenë e ekspozuar ndaj presionit të madh nga shtetet demokratike, por kjo nuk do të thotë se ata mund të kërkojnë alibi për veprimet e tyre në Bosnjë dhe Hercegovinë. Serbia nuk mund të kërkojë përgjegjësi nga kjo anë e kufirit për furnizimin me armë, trajnimin e formacioneve paraushtarake dhe grupeve të qytetarëve serbë dhe zyrtarëve lokalë që shkaktuan konfliktin e armatosur në veri të Kosovës”, tha Nikshiç.
Kryeministri Nikshiç shtoi se armët e gjetura nga policia e Kosovës nuk janë prodhuar në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se numrat serialë të predhave të mortajave dhe llojeve të tjera të municionit i përkasin fabrikave serbe të Sllobodës dhe Krushikut.
“Shërbimet e inteligjencës së Serbisë dhe udhëheqja e saj politike, për fat të keq, kanë hartuar një plan për të transferuar një pjesë të përgjegjësisë në Bosnjë-Hercegovinë për sulmin terrorist në vendin fqinj. Duke pasur parasysh situatën politike në vendin tonë, ata ndoshta kanë vlerësuar se nuk do të ketë reagime, të shpejta dhe të sakta të bazuara në fakte. Na kanë nënvlerësuar sërish”, shtoi Nikshiç.
Me tej, kreu i qeverisë shpjegoi procedurat e rrepta për transferimin e armëve nga Bosnja dhe i kërkoi Serbisë që në mënyrë transparente të hetojë shkaqet e vërteta dhe të zbulojë publikisht organizatorët dhe nxitësit e vërtetë të sulmit terrorist.