Boshti Qendror i Pekinit – një grup ndërtesash që shtrihet në zemrën e kryeqytetit kinez – u përfshi të shtunën në Listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s gjatë sesionit të 46-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në Nju-Delhi të Indisë.
Boshti Qendror i Pekinit, 7.8 kilometra i gjatë, shtrihet nga porta “Yongding” në jug deri te Kulla e Këmbanës dhe Kulla e Daulles në veri. Shumica e ndërtesave kryesore të qytetit të vjetër të Pekinit janë ngritur përgjatë këtij boshti, duke përfshirë shumë vende kryesore të trashëgimisë kulturore, si Qyteti i Ndaluar, parku “Jingshan”, Tempulli i Qiellit, rruga “Qianmen” dhe kompleksi i sheshit “Tiananmen” etj.
Me origjinë nga dinastia Yuan (1271-1368), Boshti Qendror grumbullon pallatet perandorake, tempujt, tregjet dhe rrugët, duke u konsideruar si pjesa më tipike dhe më e rëndësishme e qytetit të vjetër të Pekinit. Ekspertët thonë se Boshti Qendror i Pekinit pasqyron evolucionin dhe historinë e peizazhit urban gjatë tetë shekujve të fundit.
Boshti Qendror ndryshon me zhvillimin e Pekinit. Përgatitjet për përfshirjen e Boshtit Qendror të Pekinit në listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s filluan në vitin 2011. Që atëherë, bashkia e Pekinit ka nisur më shumë se 100 projekte restaurimi për reliktet kulturore përgjatë boshtit. Për shembull, pallati “Shouhuang” në parkun “Jingshan” u rihap në vitin 2018 pas një restaurimi katërvjeçar, ndërsa Kulla e Këmbanës përfundoi rinovimin e saj njëvjeçar dhe rifilloi funksionimin në janar 2022.