Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se në Mynih do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Por, një takim i përbashkët i liderëve me ndërmjetësin evropian të dialogut, nuk është në agjendë.
Kurti dhe Vuçiç janë në mesin e dhjetëra udhëheqësve nga e mbarë bota që po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, që nis punimet më 16 shkurt.
“Nuk është në planifikimet e mia, nuk është në agjendën time, por nëse do të ishte i mundur, ne do të ishim të lumtur. Në të kundërtën, unë duhet të tentoj ta arrij këtë takimin Kurti-Vuçiç diku tjetër”, tha Borrell në Mynih.
Zyrtari i lartë evropian do të takohet me Kurtin të premten, ndërkaq një ditë më vonë do të zhvillojë takim me Vuçiçin.
Pjesëmarrja e Kurtit dhe Vuçiçit në Mynih po ndodh në një kohë kur janë rritur tensionet mes dy shteteve të tyre, për shkak të vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb për kryerjen e pagesave me para.
/a.r