Rusia ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit të OKB të mbajë sot një seancë lidhur me 25-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në Serbi, por formati i takimit e madje edhe mbajtja e tij është i paqartë, sipas mediave serbe.
Shumë shtete perëndimore e kanë kritikuar iniciativën duke thënë madje se ishte e panevojshme të vinin në Nju Jork, pasi seanca as nuk do të zhvillohej. Shefi i diplomacisë së Beogradit, Ivica Daçiç, pretendon se fuqitë e mëdha duhet t’i përmbahen rregullës së pashkruar se çdo seancë e paralajmëruar duhet të mbahet.
Sipas tij, Serbia duhet të paraqisë të vërtetën e saj për atë që ndodhi 25 vite më parë, kur, siç tha, u shkel ligji ndërkombëtar.
Ministri i Jashtëm tha gjithashtu se është shumë e rëndësishme që Serbia të ketë mbështetjen e dy anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Rusisë dhe Kinës për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë. Nënkryetari i misionit rus në OKB, Dmitry Polyansky, deklaroi se shtetet perëndimore e kritikuan nismën e Rusisë, pasi, siç tha, ishte një temë e pakëndshme për ta.
Agresioni i NATO-s dhe shkëputja e paligjshme e Kosovës nga Serbia, sipas tij, kishte shkelur rendin juridik ndërkombëtar dhe kishte shënuar fazën fillestare të prishjes së marrëdhënieve mes Moskës dhe Perëndimit. Pak ditë më parë, Duma shtetërore ruse miratoi një projekt-rezolutë që do të paraqitet në OKB. Ajo u bën thirrje organizatave dhe parlamenteve ndërkombëtare të dënojnë sulmet e NATO-s kundër Serbisë dhe të kundërshtojnë përpjekjet për të fshehur të vërtetën për atë që ndodhi një çerek shekulli më parë.
Rezoluta kërkon gjtihashtu që shtetet të cilat morën pjesë në bombardime të konsiderohen juridikisht përgjegjës.
/a.r