Teksa fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit po afron, partia e Lirisë ka nisur takimet në bazë pa prezencën e kryetarit të saj Ilir Meta, i cili qëndron në paraburgim prej 21 Tetorit 2024, kur u arrestua me urdhër të SPAK për tre vepra penale.
Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi, ishte në një takim radhe me strukturat në qytetin e Elbasanit, ku u shpreh se 11 Maji do jetë dita e fitores së opozitës dhe do çlirohej Elbasani nga bandat, për t’ia kthyer qytetarëve.
Por ai nuk i ndali akuzat jo vetëm ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, por edhe ndaj SPAK-ut dhe drejtuesit të saj, Altin Dumani.
Blushi e sulmoi SPAK si të lidhur me qeverinë, duke e mbrojtur nga ndëshkimet për abuzimet dhe korrupsioni, teksa nuk kurseu as Taulant Ballën si kreu politik socialist i qarkut dhe kryebashkiakun Gledjan Llatja, si të lidhur me bandat e qytetit.
“Sepse Prokuroria me qëllim nuk i heton krimet zgjedhore, sepse kërkon që nëpërmjet mosndëshkimit të bandave të lidhura me pushtetin të mund t’i garantojë sërish Edi Ramës edhe një mandat tjetër 4-vjecar në kurrizin tuaj në këmbim të një mandati tjetër të përjetshëm për këta drejtues mercenarë në krye të SPAK, si vegla qorre e Edi Ramës që quhet Altin Dumani”. Blushi tha se ky SPAK nuk hetoi as krimet elektorale në Elbasan më 2021 sepse për deputet kandidonte vëllai i prokurorit të qytetit.
Ai ndër të tjera tha se “filozofia e qeverisë së Ramës është ajo e narkoshtetit dhe Elbasani është pasqyra e qeverisjes 12 vjeçare me gjendjen ku ndodhet dhe korrupsionin shtetëror”.
“Ky në fakt është edhe një tregues se si “Drejtësia e Re” që i ka tanimë të gjitha provat se kush e komandon krimin dhe trafikun e drogës në Elbasanin dhe nuk vepron”, tha Blushi. Ai shtoi se “edhe këtë organizatë do e kemi kundër nesh, pasi mbron pandëshkueshmërinë”.
Më tej ai u përqendrua edhe të shifrat social-ekonomike, ku vuri në dukje se të gjithë fermerët në këto 12 vite e dinë se rimbursimi i TVSH për imputet bujqësore u ul nga 20% në 6%, duke nënvizuar se fondet e shtetit vidhen për inceneratorë që nuk ekzistojnë dhe gjithashtu fondet e IPARD për bujqësinë përfundonin në destinacione të tjera.
Blushi premtoi rritje 5-fish të financimit për Bujqësinë e Blegtorinë, ulje e TVSH për prodhimet bujqësore dhe blegtorale në 5% dhe 10 mijë euro dhuratë fond për familjet fermerë në Elbasan, me qëllim ringritjen e këtyre sektorëve.
Kurse në lidhje me votën e emigrantëve, numri dy i PL premtoi një Ministri të Diasporës pas 11 majit kur opozita të fitojë zgjedhjet.