Në studion e emisionit “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, analisti Skënder Minxhozi analizoi vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë.
Duke parë agjendën e Blinken, Minxhozi tha se përzgjedhja e takimeve është shumë interesante, përmban risi dhe mesazhe të qarta.
Ai theksoi se mesazhi intrigues lidhet me takimin që sekretari do të mbajë me formatin e drejtësisë së re, për të përçuar mesazhin kryesor se SHBA është investitorja dhe mbështetësja kryesore e drejtësisë në Shqipëri.
“Agjendë shumë interesante, ku së pari bie në sy, që mungon opozita, së dyti është takim me kryeministrin me gjithë marrëveshjet që janë dhe me një konferencë shtypi dhe një qëndrim prej 8 orësh, por si detaj intrigues ka takimin me formatin e drejtësisë së re. Është një nënvizim i fortë i faktit se drejtësia është një investim i drejtpërdrejtë amerikan, është vullneti i palëkundur në tre administrata tashmë, që ka filluar në 2014. Ka filluar me Trump dhe me Biden, kanë qenë të angazhuar në këtë investim dhe vijnë për të reklamuar atë nivel performance që ka pasur deri tani kjo krijesë e re dhe për ti dhënë një shtysë publikisht dhe për të thënë se ne jemi këtu për të mbështetur këto zotërinj. Fjala mbështetje e ka brenda edhe nocionin e shtytjes”, tha ai.
Ai theksoi se vizita e Blinken është një mesazh shumë i fortë për Shqipërinë, por edhe për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas Minxhozit, në konfigurimin aktual në Ballkanin Perëndimor, faktori shqiptar është më stabël dhe padyshim më i dobishëm për Amerikën.
“Fakti që ai bën një takim qendror me këtë korpus, pra me drejtësinë e re, natyrisht që do të japë një mesazh dhe mesazhi i qartë është: se unë këta zotërinj i mbështes. Për mua në këtë rast mbështetja është edhe nxitje, e nënkupton dhe nxitjen. Si vizitë simbolike dhe një valencë të lartë politike, fakti që ai takon me këtë segment të shtetit shqiptar tregon natyrisht mbështetje. Takimet me kryeministrin janë për të nënvizuar falënderimin, për rolin që Shqipëria ka luajtur në Këshillin e Sigurimit, për situatën në rajon, ku Rusia afishon aspiratat e veta nëpërmjet Serbisë, dhe konflikti i shurdhët në kufirin e sipërm të shteti kosovar është një sfidë e madhe sigurie, në sfond lufta në Ukrainë dhe një konferencë që fillon në Mynih. Është një vizitë që zhvillohet në një sfond ngjarjesh shumë delikate, zhvillimesh të rëndësishme sa të brendshme, aq rajonale dhe aq edhe ndërkombëtare. Do të thoja se është një miks i të trijave. Prezenca e Blinken në Tiranë është një dëshmi e drejtpërdrejtë se në këtë pjesë që quhet Ballkan Perëndimor , me një Serbi që është ajo që dihet, me një Maqedoni të Veriut, e cila ka sfidat e veta të sigurisë, me një Kosovë, e cila shumë probleme me perëndimorët dhe me një Bosnjë Hercegovinë të ngrirë dhe një Mal të Zi, i cili është shumë i vogël për të ofruar diçka, dhe faktori shqiptar del faktori me koherent dhe më stabël, në sytë e një shteti të madh si Amerika”, tha ai.
/a.d