Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri Izraelit Benjamin Netanjahu zhvilluan një bisedë telefonike, në javën e fundit të demokratit në shtëpinë e bardhë, teksa rriten gjasat për një armëpushim në Gaza dhe lirim të pengjeve izraelite.
Siç raportohet, Izraeli dhe Hamasi kanë shënuar progres në bisedime, edhe pse mbeten ende paqartësi lidhur me aspektet kyçe të një marrëveshje të mundshme.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Biden kishte diskutuar, mbi ndryshimin drastik të rrethanave rajonale, pas arritjes së armëpushimit të Izraelit me Hezbollahun në Liban, rënies se regjimit të Asadit dhe dobësimit te fuqisë së Iranit në rajon.
Ndërsa zyra e Netanjahut bëri të ditur se ai e kishte përditësuar Bidenin lidhur me udhëzimet që u kishte dhënë negociatorëve në mënyrë qe të përparohet me lirimin e pengjeve.
Në telefonatën e zhvilluar të dielën, e para që bëhet publike qe prej muajit tetor, Biden theksoi nevojën imediate për një armëpushim në Gaza, kthimin e pengjeve dhe rritjen e ndihmave humanitare në enklavën e copëtuar. Biseda kryhet një ditë pasi Netanjahu dërgoi një delegacion të lartë sigurie përfshire drejtorët e agjencisë së spiunazhit Mossad dhe atë të shërbimeve të sigurisë, Shin Bet, për negociata indirekte në Doha, të ndërmjetësuara nga Katari, SHBA dhe Egjipti.
Mediat izraelite raportuan se Netanjahu po takohet me pjesëtarë të kabinetit të tij, që kundërshtojnë marrëveshjen e armëpushimit, në përpjekjen për ti bindur të mos dorëhiqen.
Kryeministri izraelit është nën presion të shtuar për të pranuar ujdinë. I dërguari i Trump për lindjen e mesme Steve Witkoff u takua me Netanjahun së fundmi, pikërisht për ta shtyrë të arrijë një marrëveshje para inaugurimit të presidentit të zgjedhur më 20 janar.