Berishizmi që i kanoset Partisë Socialiste

Nga Blendi Kajsiu

Në kongresin e fundit të Partisë Socialiste nuk munguan kritikat ndaj opozitës. Sidomos ndaj asaj berishiste që është reduktuar tek interesat e një individi dhe të familjes së tij. Është një kritikë e arësyeshme por që injoron berishizmin e Partisë Socialiste.

Si kurrë më parë PS-ja është njehsuar sot me liderin e saj Edi Rama. Edhe identifikimi i saj me Enver Hoxhën në kohën e komunizmit nuk kishte një dimension kaq të thellë personal. Në atë kohë njehsimi mes liderit dhe partisë bëhej nëpërmjet ideologjisë marksiste – leniniste, pishtar i të cilës supozohej se ishte Enveri. Sot ky njehsim bëhet në mënyrë direkte duke e reduktuar partinë tek përmsat dhe humoret e liderit, pa ndonjë ideologji apo program specifik, përtej parrullës “ne punojmë dhe modernizojmë” që ndryshe mund të përkthehet “ne jemi specialista”.

Sot njehsimi i PS-së me liderin e saj është shumë më tepër personal sesa ideologjik. Partia Socialiste është shndërruar në një zgjatim të liderit të saj jo sepse ai është ideolog i spikatur i socializmit, por sespe lideri ka privatizuar të gjithë pushtetin socialist. Ky është virusi berishist që e ka prekur sot Partinë Socialiste.

Një nga aspektet themelore të berishizmit është privatizimi i pushtetit politik të partisë dhe njehsimi i saj me liderin. Është një personalizim i thellë dhe aspak ideologjik i partisë si bashkësi politike. Në këtë aspekt berishizmi është i ndryshëm nga eneverizmi, edhe pse prodhon efekte të ngjashme, sic është kulti i individit, autoritarizmi dhe mungesa e demokracisë.

Reduktimi i partisë politike tek personi apo familja e liderit jo vetëm e zhvesh atë nga identiteti politik, ideologjik dhe programor, por pamundëson edhe rinvomin e elitës politike. Kjo për arësyen e thjeshtë sepse karriera brenda partisë nuk bëhet në bazë të aftësive dhe garës politike por thjesht në funksion të humorit të shefit.

Për këtë arësye lidershipi i partisë gradualisht popullohet ose me servila të paaftë ose me njerëz që janë të aftë por duhet të budallepsen për të mos bezdisur shefin. Nuk është rastësi që Partia e Punës dje degradoi tek personazhe si Lenka Cuko. Ashtu sikurse nuk është rastësi që berishizmi sot promovon personazhe qesharake.

E gjithë kriza e Partisë Demokratike gjatë dy viteve të fundit mund të përmblidhet tek paaftësia e saj për të rinovuar lidershipin politik. Ajo që ka nxjerrë në pah kjo krizë, përtej njehsimit të thellë të PD-së me Berishën, është mjerimi i llogjikës dhe artikulimit politik të lidershpiti të ri që nga Basha deri tek Bardhi. Arësyetimi që ky i fundit, për shembull, i bënte lëvizjes së grupit të tij nga Basha tek Berisha të linte me gojë hapur për mungesën totale të llogjikës politike dhe për paturpësinë e thellë parimore.

Nuk kemi të bëjmë me një paaftësi të rastësishme. Askush nuk mund të krijojë kapital, personalitet apo një profil të fortë politik kur e gjithë karriera e tij bazohet tek servilizmi ndaj liderit dhe jo ndaj ndonjë ideje, ideologjie apo programi politik. Në këto kushte për të bërë karrierë duhet të përsërisësh publikisht budallëqet që thotë kryetari, i cili me përqëndrimin e pushtetit dhe me rrethimin nga servilët degradon me shpejtësi.

Shembulli i Lulëzim Bashës e tregon më së miri këtë proces pervers. Dështimi i tij politik nuk është rastësi, dhe as nuk mund të reduktohet tek vetitë personale. Mungesa e kredibilitetit dhe e kapitalit politik të Bashës ishte pasojë direkte e servilizmit të tij ndaj Berishës. Për të ruajtuar karrierën e tij në PD-ë ai u detyrua të ripërsëriste si papagall të gjitha brockullat e shefit Berisha si për Gërdecin edhe për vrasjet makabre të 21 janarit.

Ndaj nuk është cudi që Basha nuk mundi të krijontë një profil politik të tij as nën hijen e rëndë të Berishës dje dhe as jashtë kësaj hije sot. Nën hijen e shefave të rëndë si lisa mbijnë vetëm shkurre politike, pa verb dhe pa rrënjë të thella në elektorat. Kjo është fara politike që përzgjedhin dhe ujisin shefat për pasardhësit e tyre. Ky ishte rasti i Ramiz Alisë dje, ky është rasti i Lulëzim Bashës sot.

I njëjti proces u pa edhe në kongresin e fundit të Partisë Socialiste që në thelb ishte një brohoritje për shefin. Aty Rama u shfaq si një lis i lartë politik i rrethuar nga bar e shkurre. Rregulla e artë për të bërë karrierë në PS tashmë është “mos i prish qejfin shefit”. Ndaj Partia Socialiste sot i ngjan më shumë se kurrë Partisë Demokratike dje. Natyrisht socialistëve shefi i tyre i duket më i arësyeshëm, më qytetar dhe më evropian, se Berisha.

E megjithatë fenomeni është i njëjtë ndonëse i paketuar më bukur. Sot socialistët në parlament duhet të justifikojnë bllokimin e komisioneve parlamentare të opozitës duke përsëritur absurditete që thotë shefi i tyre. “Nuk mund të ngremë komisione hetimore se po bëjmë ligjin e ri”, “janë ngritur shumë komisione hetimore anti-kushtetuese”, “non-gratat nuk mund të ngrenë komisione hetmore” janë “argumente” bosh që nuk justifikojnë dot refuzimin e të gjitha komisioneve hetimore të opozitës në një vit.

E megjithatë të gjithë deputetët socialist i përsërisin këto brockulla publikisht vetëm e vetëm sepse ky është humori i shefit. Kështu roli i deputetit socialist reduktohet tek bllokimi i komisioneve hetimore të opozitës sepse për kontroll të ekzekutivit as që bëhet fjalë. Për pasojë parlamenti shqiptar nga një inkubator i prodhimit të elitave të reja politike kthehet në një varrezë të talentit politik. Ndaj berishizmi socialist po degradon elitën politike të kësaj partie sot ashtu sikurse Berisha e bëri dje në PD.

Mjafton të shikosh se si kryeministri e keq-përdor kryetaren e kuvendit për të dhunuar të drejtat e opozitës. Në një Republikë Parlamentare pozicioni i kryetares së parlamentit është një trampolinë e madhe politike për tu projektuar si lider në të ardhmen. Ama kur ky pozicion përdoret për të bllokuar komisionet hetimore të opozitës ai thjesht shërben për degradimin dhe jo promovimin e imazhit politik të kryeparlamentares, qoftë si institucion qoftë si politikane.

Ky është berishizmi socalist që e ka kanalizuar të gjithë kapitalin dhe pushtetin socialist tek lisi politik Rama duke i transformuar elitat politike socialiste në shkurre administrative pa verb dhe pa rrënjë të thella politike. Ai nuk fshihet dot pas imazhit evropian që projekton PS-ja sepse në thelb është një fenomen thellësisht autoritar. Aq më pak mund të fshihet berishizmi socialist tek denoncimi i berishizmit opozitar. Përkundrazi degradimi i opozitës berishiste sot është fati që e pret PS-në nesër nëse edhe kjo parti reduktohet tek lideri, pavarësisht përmasave të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com