Berishën e ndjekin vetëm Baçi dhe Boçi, zyrtarët e “Rithemelimit” e braktisin

Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie, gjatë fjalimit të mbajtur nga ballkoni i shtëpisë është ndjekur vetëm nga dy zyrtarë të ‘Rithemelimit’, Luçiano Boçi dhe Luan Baçi.

Ai ka deklaruar para mbështetësve se kryeministri Edi Rama “është i tmerruar nga fjala dhe denoncimet e tij”, ndaj edhe kreu i Rithemelimit është vendosur nën arrest shtëpiak.

Ai u shpreh se përkundrazi, me këtë veprim u krijuan ” dhjetëra, qindra, mijëra Sali Berishë të tjerë të cilët e shndërruan në ‘rrugën e Shpresës’, rrugën e gjyqit publik të regjimit”.

Berisha shtoi se Rama sot po mbrohet nga Altin Dumani, kryeprokurori i SPAK, por shtoi “bashkë me Dumanin do të të japim ndëshkimin më të rëndë që meriton”.

“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Ju misionarëve të vërtetë të qëndresës së njeriut për dinjitetin e tij.
Misionarëve të vërtetë të qëndresës së njeriut për lirinë e tij.
Misionarëve të vërtetë të qëndresës së njeriut për vlerat më të larta të individit dhe shoqërisë.
Misionarë të vërtetë të qëndresës së shpresën, për të ardhmen, për interesin kombëtar dhe mbi të gjitha të qëndresës për të vërtetën e cila kurrë nuk tretet, nuk humbet, nuk mposhtet, por vetëm ndriçon, ndriçon çdo ditë e më shumë, zemrën e njeriut, zemrën e një kombi të tërë.

Kam një përshëndetje të përzemërt për oratorët e mrekullueshëm, fjalët e tyre plot frymëzim, pasion, vërtetësi.
Edi Rama i tmerruar nga fjala, denoncimet e Sali Berishës, mendoi të shpëtojë prej tij duke e vendosur atë në arrest shtëpie. Por krijoi me dhjetëra, qindra, mijëra Sali Berishës të tjerë të cilët e shndërruan në ‘rrugën e Shpresës’, rrugën e gjyqit publik të regjimit.
Rrugën e gjyqit publik të vjedhjeve të Edi Ramës dhe suitës së tij.
Rrugën e gjyqit publik të lidhjeve të tij me krimin.

Rrugën e gjyqit publik vjedhjeve të familjarëve të tij, të pasurimit të familjes së tij, të 16-fishimit të të ardhurave duke shfrytëzuar karrigen e tij.
Të shpërdorimit dhe vjedhjes me qindra milionë eurove me djegësat, me sterilizatorët.
Të denoncimit të aferës prej miliarda euro të portit të Durrësit, të denoncimit dhe gjyqit publik për Edi Ramën, skandalin e tij ndërkombëtar me McGonigal.
Edi Rama të mbron sot Altin Dumani, por bashkë me Dumanin do të të japim ndëshkimin më të rëndë që meriton”, u shpreh ai.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com