Ndryshimet Kushtetuese të 2020-tës që Edi Rama bëri më deputetët që zunë karriget e demokratëve që dogjën mandatet i dhanë fund koalicioneve shumë listore të tipit lokomotive me shumë vagonë.
4 vite më pas Rithemelimi kërkon që të preket sërish ligji themeltar i shtetit për rikthim të formulës së koalicioneve me liste të përbërë.
“Ne duhet te diskutojmë patjetër atë çka është dakortësuar me 5 qershor 2020 që mazhoranca e cenoi këtë marrëveshje. Koalicionet parazgjedhore ku cdo parti politike të ketë listën e vet zgjedhore ku vota e çdo qytetari të ketë peshën e vet”-u shpreh Dhurata Çupi.
Lulzim Basha prej kohësh kërkon me ngulm ndryshimin e sistemit nga proporcional rajonal në atë kombëtar me lista të hapura, por kjo kërkesë nuk është në planet e Rithemelimit.
“PD nuk mund të pretendojë të bëjë propozime të partive të vogla, të marrësh një mandat apo dy mandate. PD ka qenë në qeverisje dhe duhet të propozojë sisteme apo çështje si parti qeverisëse dhe parti serioze që mbron i interesat e vendit”-shton Çupi.
Anëtarja e gjashtëshes “konsensusale” Dhutata Çupi vlerëson si emergjente ndërhyrjen në legjislacionin për adresimin me prioritet të krimeve zgjedhore.
“Kemi procese të hetimit penal apo administrativ qe vazhdojnë të mbeten në hetime ndërkohë që proceset zgjedhore kanë përfunduar. Dhe afatet e hetimit administrativ dhe penal janë të rëndësishme për ti dhënë një lloj integriteti, por dhe besueshmërie këtyre proceseve“.
Struktura e ngritur në Kuvend krahas ndryshimeve ne Kodin Zgjedhor do të shqyrtojnë edhe nisma të tjera që kërkojnë 84 vota për tu miratuar, por jo reformën në drejtësi./tch