Nga Mero Baze
Gjithë shpjegimet e përditshme publike të Sali Berishës rreth aferës së Klubit Partizani dhe pasurimit të vajzës së tij me 17 kulla, do të mjaftonin që të bindin jo vetëm prokurorët, por çdo shqiptar, për përfshirjen e tij në këtë histori, në çdo detaj të saj.
Sali Berisha është nën hetim për “kapje shteti” nga dhëndri dhe vajza e tij, dhe e gjitha lidhet në parim, me vënien në dispozicion të gjithë strukturave të shtetit shqiptar për të përfituar një pronë, përmes “diskriminimit pozitiv” vetëm për këto familje, duke krijuar ligje speciale dhe duke i anuluar ato në të ardhmen për të tjerët, si dhe duke vënë në dispozicion dhe anën represive të shtetit për të tejkaluar pengesat apo rezistencën e individëve me integritet.
Ai ka dy probleme. Problemi i parë është që po flet dhe po sillet si CEO i kompanive të dhëndrit. Problemi i dytë është që gënjen duke thënë gjysmë të vërteta dhe fsheh fakte të rënda, që janë publike.
Por nëse shikoni shpjegimet e tij publike, ai flet për gjithçka. Flet për origjinën e pronës, kundërshton falsifikimin e saj, flet për personat që kanë tentuar ta hetojnë dokumentin origjinal, flet pastaj për çdo procedurë që është zhvilluar derisa e kanë rrëmbyer pronën, flet për ndryshimin e destinacionit, flet për lejet e ndërtimit në vite që nga Rama, deri tek Basha e Veliaj, flet për mënyrën si është shitur në gropë apo e mbaruar, flet për pagesat e dhëndrit, sa lekë futi, sa lekë fitoi, sa lekë do fitonte po të vepronte ndryshe etj.
Në çdo kompani normale ndërtimi, kaq gjëra nuk i di as CEO i kompanisë.
Madje dhe Fatmir Bektashin po ta pyesësh, që është CEO ligjor i kompanisë, nuk është në gjendje të flasë me kaq hollësi për gjithë historinë e marrjes dhe zhvillimit të këtyre pronave.
Këtë po e bën Sali Berisha dhe kjo do të mjaftonte të kuptoje përfshirjen e tij në çdo detaj.
Një kryeministër nuk ka shanse të jetë kaq i përfshirë në një biznes privat, qoftë ky dhe i favorizuar nga qeveria e tij, nëse nuk është biznesi i tij.
Ky di me hollësi çdo gjë që është bërë në kompanitë që menaxhonte pronat e vajzës së tij, duke dëshmuar se në fakt ka qenë në krye të gjithë punëve në këtë operacion të qartë korruptiv.
Ky është problem i parë që ai ka me ligjin në këtë histori.
Problemi i dytë është përpjekja për të gënjyer në çdo gjë që thotë. Gjysmë të vërtetat që Berisha citon nga historia e këtij korrupsioni, ndërkohë që dëshmon vet që ka qenë i përfshirë në gjithçka, është përpjekje e qëllimshme për të fshehur krimin.
Fjala vjen, thotë gënjeshtra të tipit “privatizimin e ka nisur Fatos Nano”, apo “lejen e ka dhënë Edi Rama”, apo ka fakte që pronarët e aeroportit nuk janë shpronësuar etj.
Të gjitha janë gënjeshtra të provueshme në dosje.
Fatos Nano ka nisur procedura të privatizojë ekipin e futbollit Partizani duke krijuar një SHPK dhe jo godinat e klubit.
Edi Rama ka dhënë leje ndërtimi mbi një pronë që ka certifikatë pronësie po të kësaj familje, dhe e ka detyrim të japë leje nëse pronarët paraqesin projektin dhe certifikatën, dhe nuk ka lidhje me gjithë këtë operacion mafioz drejtuar prej Berishëve.
Dokumenti i Luan Malltezit kur ishte drejtor Arkivi, që tregon se një nga familjet ortake me vajzën e tij është shpronësuar nga Italia në vitin 1940- 1941, është provë që janë shpronësuar po atëherë të gjithë. Ndryshimi është se kur Malltezi (babai) e ka lëshuar këtë dokument, nuk e kishte martuar djalin me vajzën e Berishës dhe nuk fshiheshin apo griseshin fletët e arkivës.
Po ashtu, Berisha tenton të gënjejë në mënyrë qesharake kur bën si ekspert ndërtimi, që dhëndri ka blerë troje kushërinjsh dhe ka shitur në themel.
Do të mjaftonin përgjigjet që ka dhënë mbesa e tij para autoriteteve gjermane, kur e kanë pyetur për një pagesë të Jamarbërit nga Gjermania prej 42 mijë euro (llogari qe se ka deklaruar tek ILKPD), për të kuptuar se si një nëpunës banke gejrmane, ka arritur të zbërthejë gjithë korrupsionin. Aty provohet se Jamarbëri ka deklaruar se ka bërë 55 milionë euro investim dhe ka një fitim 61 milionë euro. Se si ka arritur të bëjë 55 milionë euro investim, duhen prova, pasi Mond Leka vetëm 1 milion euro kredi i ka dhënë dhe mund ta ketë ndihmuar për transfertat cash, por nuk e shpëton dot më tej.
Ndaj Sali Berisha e komprometon dy herë dhëndrin e tij në burg. Një herë që bën si CEO i kompanive të tij dhe një herë që gënjen për çdo gjë që thotë, duke ja rënduar pozitat.
Mirë do të ishte të përdorte të drejtën që ka për të heshtur në këtë rast. Por me sa duket, halli që ka, është më i madh se fati i dhëndrit dhe atë po e bën kurban, me çfarë po thotë publikisht.