Berisha “non grata” në Britani, gjykata tregon se kur e shpall vendimin

Do të duhet të paktën edhe katër javë të tjera kohë, për të mësuar nëse ish kryeministri Sali Berisha do të vijojë ta ketë të pamundur hyrjen në Britaninë e Madhe apo apeli i tij në gjykatën angleze, do të jetë në favor e kështu ti hiqen “non grata” e qeverisë britanike vendosur në 19 korrik 2022.

Palët në këtë proces Sali Berisha dhe ministria e punëve të brendshme Home Office kishin pritshmëri që vendimin “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” tu dorëzohej, deri në fund të majit.

Por nga një komunikim përmes postës elektronike që gazetari i Top Channel Muhamed Veliu,  pati me SIAC, me  “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” kjo do të jetë e pamundur deri në fund të majit.

Kjo është përgjigja e SIAC:

“Ka ndodhur një vonesë e vogël në përgatitjen e vendimit. Ne jemi në fazën e kontrollit dhe të finalizimit të këtij procesi i cili do të marri ndoshta edhe 3 deri në katër javë”.

Juristë të çështjeve të emigracionit në Angli me të cilët u konsultua Top Channel pohuan se të tilla çështje të kësaj natyre kur një ish kryeministër padit në gjykatë Qeverinë Angleze shikohen me një precizion, ftohtësi dhe paanësi të jashtëzakonshme nga “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit”.

Sipas tyre ka çështje në këtë komision në pritje të vendimit prej një viti për vetë kompleksitetin që mbartin.

Një javë më parë ekskluzivisht Top Channel solli dokumentin e lexuar në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” ku tregohej se përse Britania e Madhe e mori këtë vendim. Sikurse sollëm edhe detajet kundërshtuese të vendimit prej avokatëve të zotit Berisha.

Ky proces i pazakontë në SIAC është pasqyruar ditët e fundit edhe në gazetën The Times bashkë me Daily Mail,  ku theksi vendoset në përpjekjet e Britanisë së Madhe përmes projektit “Crime State Nexus” në të luftuarin e politikanëve të korruptuar dhe me lidhje kriminale nga të gjitha krahët e politikës shqiptare përfshi politikanë të tjerë në Ballkan./tch

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com