Berisha në krye të protestës së opozitës, Tirana bllokohet sot sërish

Mbështetës të Partisë Demokratike, por edhe të partive të tjera opozitare do të mbajnë sot në mbrëmje protestën e radhës kundër qeverisë së Edi Ramës.

Ashtu edhe si herën e kaluar, protestuesit kanë në plan që prej orës 17:00 të bllokojnë disa nga akset kryesore të kryeqytetit dhe do të qëndrojnë aty për tre orë, duke shkaktuar kaos në qarkullimin e mjeteve që në këtë moment të vitit pritet të jenë edhe më të shumta për shkak të festave dhe kthimit të emigrantëve.

Ndryshe në herët e tjera, në ballë të protestës do të jetë kreu i demokratëve Sali Berisha, i cili mungonte prej më shumë se një viti fizikisht në një manifestim në rrugë për shkak të masës së arrestit që Gjykata ishte caktuar ndaj tij në lidhje me dosjen “Partizani”.

Në thirrjet e tij ditë përpara, Berisha iu kërkoi qytetarëve të bashkohen në Tiranë, për të marrë pjesë në aktin më të madh të mosbindjes civile. Ai gjithashtu nga studio e A2 CNN paralajmëroi se protesta do të ketë surpriza.

Organizatorët kërkuan më herët leje në Policinë e Shtetit për këtë manifestim të radhës e cila edhe njëherë refuzoi të jetë dakord me bllokimin e akseve kryesore të kryeqytetit.

Sipas të dhënave akset që do të bllokohen janë: rruga pranë Bashkisë së Tiranës, rreth-rrotullimi tek “Zogu i Zi”, tek sheshi “Wilson”, tek “Pallati me Shigjeta”, si dhe kryqëzimi tek “Rruga e Elbasanit”, pranë xhamisë së “Namazgjasë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com